
TIRANË- Fotoja e Ervis Matodashajt, i njohur ndryshe me nofkën “Çoke qorri”, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla në Vlorë është publikuar. Matodashaj konsiderohet krahu i djathtë i Hajrullës, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i njohur si një nga figurat kryesore të botës së krimit në qytetin bregdetar.
Më 7 mars, Hajrulla dhe Matodashaj arritën t’i shpëtonin arrestimit gjatë një operacioni të urdhëruar nga SPAK. Inez Hajrulla rezulton t’i ketë shpëtuar të paktën tre atentateve, përkatësisht në vitet 2017, 2019 dhe 2023, ku në disa raste ka qenë në shoqërinë e Matodashajt.
Ky atentat u krye me lëndë eksplozive në automjetin e tij. Atentati ndodhi një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë në Durrës, ku edhe Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt. Inez Hajrulla është gjithashtu person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017.
Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale.
Hajrulla po qëndronte në në një kafene në kompleksin “Oslo” në zonën e Lungomares, në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur papritur nga dy makina janë lëshuar breshëri automatiku.
Qitësit me sa duket kanë qenë amatorë, pasi asnjë nga plumbat nuk ka kapur objektivin, por është plagosur krejt rastësisht një punonjës i bashkisë së Vlorës i quajtur Dajko Cenodemaj, i cili po pinte kafe me tre miq të tij.
Autorët u larguan duke i djegur dy makinat në zonës e Babicës, njëra prej të cilëve Land Rover, që nga hetimet rezultoi të ishte me targa të vjedhura ku dhe janë sekuestruar dy automatikë të djegur.
Në gusht 2023, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodoshaj dyshohet se ishin shënjestër e një atentati që u parandalua nga Policia e Vlorës. Një 35-vjeçar, Amarildo Nikolli u arrestua në zonën e ujit të Ftohtë në Vlorë me pistoletë silenciator, me fishek në fole, gati për qitje, një sasi municioni luftarak, doreza dhe kapuç në çantën e shpinës. Hetimet zbuluan se shënjestër e këtij atentati kishin qenë Hajrulla dhe Matodoshaj.
Hajrulla ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje, i akuzuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013. Po ashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Hajrullën në shërbim prove. Sakaq, autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e Ervis Matodashajt, i cili konsiderohet një nga personat kyç në aktivitetin e grupit kriminal në Vlorë.