
TIRANË- Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ha se dosja ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës është shumë voluminoze. Në një deklaratë për mediat, pas shtyrjes së seancës në themel, ai deklaroi për mediat se nuk e kupton nxitimin për të cënuar të drejtat kushtetuese.
Gjithashtu shtoi se prokurori Ols Dado kishte një reagim emocional në sallën e gjyqit, që nuk janë në përputhje me rolin e tij.
"Unë vlerësoj që ajo që konstatohet është fakti që ka një nxitim për të bërë një proces që është voluminoz. Ju e dini që ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë mundësinë Erion Veliajt për tu mbrojtur. Nuk e kuptoj nxitimin, nuk e kuptoj nxitimin për të cënuar të drejtat kushtetuese.
Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt është një lidhje emocionale dhe nuk ka lidhje me përputhjen e rolit të prokurorit. Nuk ka strategji për ta shtyrë, por për ta njohur çështjen në themel. Ne do kemi një ekip jo vetëm avokatësh, por edhe ekspertësh.
Veliaj është i vendosur për të mbrojtur çështjen e tij. Ai akoma nuk është njohur me dosjen. Ka filluar leximi, ai lexon me një rritëm 200-300 faqe në ditë dosjen. Por është një dosje shumë voluminoze. Vetëm prova materiale janë rreth 1500 faqe”, tha Ndreca.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.