
SHKODRA- Forcat RENEA kanë zhvilluar një operacion në Shkodër për gjetjen dhe arrestimin e Eljon Hatos, i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza” që prej vitit 2023. Sipas informacioneve, ky operacion ka dështuar duke mos u finalizuar me arrestimin e Hatos.
Bëhet me dije se kontrolle të shumta janë kryer në zonën e Rrethinave në Shkodër në orët e mbrëmjes, por Hato sërish nuk është gjetur. Mësohet po ashtu se nga ky aksion janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 5-6 persona, në mesin e të cilëve edhe vëllai i Eljon Hatos.
Kush është Eljon Hato?
Eljon Hato konsiderohet si mik i ngushtë i Ervis Martinajt. Hato është përfshirë në skedarët e Policisë së Shtetit për herë të parë në vitin 2014, kur pas një konflikti për motive banale në një lokal në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatar dhe ka plagosur një tjetër. I njohur dhe me emrin Esmeraldo, në atë kohë 24-vjeç, në orët e para të mëngjesit të datës 12 maj 2014, ai ka qenë në një lokal në fshatin Zus bashkë me persona të tjerë. Në të njëjtën tavolinë me të në lokal ndodheshin shtetasit Indrit Hylli dhe Jetmir Molla.
Kur ora shënonte 03:00 e mëngjesit, mes të rinjve që qëndronin në lokal ka filluar një debat i cili ka nisur me shkëmbime fyerjesh banale dhe më pas ka degarduar deri në përdorimin e armës. Eljon Hato ka shtënë me pistoletë në drejtim të Indrit Hyllit dhe më pas drejt shokut tjetër Jetmir Molla. Dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në Spitalin e Shkodrës nga punonjësit e lokalit, por fatkeqësisht 22 vjeçari Indrit Hylli ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, kurse Jetmir Molla kishte plagë vetëm në këmbë dhe arriti të shpëtonte. Eljon Hato mundi të arratisej dhe u arrestua nga Forcat Operacionale në qytetin e Laçit vetëm një vit më pas, në 3 maj 2015, teksa ndodhej nën shoqërinë e të vëllait.
Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj këtyre dy shtetasve masat e sigurisë "Arrest me burg". I riu nga Shkodra u dërgua në Burgun e Shënkollit ku dyshohet se porositi dhe një vrasje nga brenda qelisë. Ai është akuzuar zyrtarisht se kishte porositur vrasjen e mjekut radiolog të Spitalit të Shkodrës, Agron Terolli. Eljon Hato kishte paguar një 21 vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht falë të dhënave në rrugë operative Policia e Shkodrës arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë. Në 2015-ën, djali i mjekut Agron Terolli kishte plagosur me armë zjarri një person dhe e kishte lënë të paaftë fizikisht.
Dënimin për këtë vepër penale djali i mjekut po e kryente në Burgun e Shën Kollit, ku sapo kishte shkuar dhe i riu Eljon Hato. Pista kryesore u dyshua hakmarrja, por ngjarja "u harrua" për shkak se personi që do të kryente vrasjen, 21 vjeçari Osman Mulja u arrestua teksa bëhej gati të ekzekutonte me kallashnikov në mes të Shkodrës mjekun Agron Terolli. Është e paqartë sesi doli nga qelia Eljon Hato, pas tre vitesh, pasi në vjeshtën e vitit 2018 ai u përfshi në një konflikt me armë që ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Shkak u bë një konflikt për këngëtaren Elvana Gjata, e cila atëkohë ishte e dashura e Ervin Matës. Ajo është ngacmuar nga shtetasi Fabiol Gaxha dhe më pas aty ka nisur një konflikt mes dy grupeve që përfundoi me plumba. Komando Merviol Bilo, kushëri i këngëtares dhe njëherësh truprojë e Ervin Matës, i është përgjigjur të shtënave me armë zjarri nga grupi i Ervis Martinaj duke lënë të plagosur këtë të fundit dhe Eljon Haton, ndërsa viktimë mbeti truproja Fabiol Gaxha.
Tre vite pas ngjarjes në lokalin në ish-Bllok, Hato u shpall përsëri në kërkim nga Policia e Shkodrës sepse dyshohej se kishte marrë pjesë në një atentat të organizuar për vrasjen e shtetasit Taulant Pepaj. Atentati fatmirësisht dështoi dhe shënjestra i shpëtoi plumbave. Të dyshuarit ishin Eljon (alias Esmeraldo) Hato dhe Shkëlzen Xhenje.