
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka njoftuar se nuk do të jetë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në njoftim, GJKKO ka sqaruar se nuk legjitimohet të marrë pjesë si palë në këtë proces, duke renditur disa arsye.
GJKKO argumenton se kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin apo vendimin gjyqësor dhe jo mbi vetë gjykatën që e ka nxjerrë atë. Për këtë arsye, gjykata nuk mund të trajtohet si palë kundërshtare në një konflikt juridik, pasi ajo është vetëm autorja e vendimit që po i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
Poashtu theksohet se pjesëmarrja e GJKKO-së do të cenonte parimin e pavarësisë së brendshme të pushtetit gjyqësor. Sipas kësaj, çdo gjyqtar është i pavarur dhe nuk raporton për vendimmarrjet e tij as përpara kryetarit të gjykatës dhe as përpara gjykatave më të larta. GJKKO shprehet se përfshirja e saj si palë në këtë proces do të krijonte idenë se gjykata po mbron vendimin e saj, duke rrezikuar kështu besimin e publikut në paanshmërinë e drejtësisë penale.
Gjithashtu, vendimet e gjykatave të shkallës së parë, i nënshtohen vetëm gjykatave më të larta të juridiksionit të zakonshëm, sepse asnjë organ tjetër shtetëror nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë apo bazueshmërinë e një vendimi gjyqësor. Ndër të tjera, GJKKO thekson se vendimet për caktimin e masës së pezullimit nga detyra janë të ankimueshme në juridiksionin gjyqësor të zakonshëm dhe përfshirja e GJK bie ndesh me standardet e administrimit të drejtësisë.
Në përfundim, GJKKO njofton se pjesëmarrja e saj si palë në gjykimin kushtetues do të ishte jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta. Duke qënë se çështja ndaj zv.kryeministres Balluku është ende në proces, gjykata shprehet se në këtë kontekst, nuk duhet të marrë pjesë në procesin kushtetues.
"Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:
Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,
Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë."