TIRANË- Kryedemokrati, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk do të lejojë largimin e Belinda Ballukut, pasi sipas tij, dosjet hetimore që lidhen me zv.kryeministren dhe çështje të tjera madhore implikojnë drejtpërdrejt vetë Ramën. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha u shpreh se Rama do të bëjë gjithçka për të “shpëtuar lëkurën e tij”, teksa shtoi se vetëm vendosmëria dhe kryengritja paqësore e opozitës mund ta çojnë këtë betejë deri në fund.
Pjesë nga bashkëbisedimi me qytetarët:
Laert Vasili: Doktor, sipas jush, a është Rama i detyruar të lëshojë Ballukun sepse barazimi katër me katër i Gjykatës Kushtetuese duket si frikë e gjyqtarëve për të marrë vendim?
Sali Berisha: Laert, njëherë në radhë të parë të përshëndes përzemërsisht dhe të uroj sukses aty ku je. Po qe se të lejojnë kushtet, të mirëpresim prapë me 10 shkurt dhe për vendimin, gjithçka është për Ramën. Duhet ta dini ju dhe të gjithë shqiptarët se po të mos ishte i implikuar Rama, ai është i gatshëm ta zhdukë Belindën pa pyetur për të fare.
Por problemi është se dosjet, qoftë dosja e Belindës, qoftë dosja e AKSHI-t, të cilat nxjerrin me shëmtinë më të madhe të vërtetat e Edi Ramës, nxjerrin se Edi Rama është ai autori i tunelit të Llogarasë dhe përfituesi kryesor i 50 milionë eurove. Nxjerrin se Edi Rama është personi që përcaktonte fituesit e tenderit të Unazës së Madhe.
Nxjerrin më keq se çdo gjë tjetër se Edi Rama është Ergys Agasi i vërtetë.
Pra, jemi në këto rrethana, të cilat kërkojnë së pari, ta kemi të qartë se Edi Rama do bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Së dyti, ta kemi të qartë se vetëm guximi, vendosmëria jonë do shpëtojë Shqipërinë nga Edi Rama. Ndaj dhe kjo betejë nuk ka të ndalur gjer në fitoren e plotë.
Muharrem Kurti: Doktor, Gjykata Kushtetuese e dha një gjysmë vendimi, tani çfarë do bëhet me Lubinë?
Sali Berisha: Pyetja është se çfarë do bëhet me Ramën. Lubia është Rama, Rama është Lubia. Kryengritja paqësore do i çojë ata në bankën e akuzës, aty ku e ka vendin. Kjo do bëhet. Nuk ka forcë, i them Edi Ramës, nuk ka forcë të shpëtojë. Asnjë. Dhe mos kërko dhe mos lobo se në mënyrë absolute ne nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë asnjë lloj kompromisi përveç ligjit.
Do përballesh me ligjin për veprat e tua të zeza. Para se t’i kryeje, duhet të mendoheshe mirë tre herë. Por ja që vjen dita që sovrani të bën ligjin. I përshëndes qytetarët për përgjegjësinë e madhe qytetare që po tregojnë, revoltën dhe zemërimin që kanë brenda. Kështu që ne jemi në misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë nga Edi Rama./