
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar IEVP “Jordan Misja” që t’i japë fund kufizimit të takimeve të Ilir Metës me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Evropian. KShH thotë se është vënë në dijeni të ankesave të bëra nga deputeti Tedi Blushi dhe Ilir Meta, lidhur me moslejimin e zhvillimit të këtyre takimeve.
Në letrën drejtuar institucionit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet se kufizimi është bërë pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur.
KShH rikujton se kjo çështje është trajtuar edhe më herët gjatë monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”. Sipas organizatës, në rekomandimet e adresuara institucionit përmes shkresës së datës 27 prill 2026, ishte vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë ngrinte shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji.
Në mënyrë të veçantë, KShH i referohet nenit 51 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se pas rekomandimeve të mëparshme kishte konstatuar një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni.
Për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim për KShH-në, e cila kërkon të mësojë nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme.
Në letër, KShH kërkon nga IEVP “Jordan Misja” informacion mbi pretendimet e Ilir Metës dhe Tedi Blushit, duke iu referuar edhe ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ana juaj”, thuhet në përfundim të letrës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Letra:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është vënë në dijeni të ankesave nga Z. Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Z. Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë, nëpërmjet të cilave ngrihen shqetësime lidhur me moslejimin e zhvillimit të takimeve të këtij të fundit me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur ky kufizim.
KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më herët në kuadër të monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj nëpërmjet shkresës nr. 151 prot., datë 27.04.2026, ku ndër të tjera është vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë, ngre shqetësime serioze në raport me respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në vijim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH ka konstatuar se kishte një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni.
Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë, veçanërisht nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme. Sa më sipër, në respektim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KSHH do të vlerësonte informimin nga ana juaj mbi pretendimet e Z. Ilir Meta dhe Z. Tedi Blushi.
Lutemi të gjeni bashkëlidhur për dijeninë tuaj, letrat e cituara më sipër.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një përgjigje zyrtare nga ana juaj!