TIRANË - Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Beqarajn i dyshuar si autor i vrasjes së ish-policit të burgjeve Gentjan Bejtja ngjarje e ndodhur më 15 Mars të 2024 në Larushë të Fushë Krujës.
Prokuroria bën me dije se nga hetimet ka rezultuar se Beqaraj ka luajtur rolin e ndihmësit në atentatin ndaj Bejtjas. Sipas prokurorisë ky i fundit ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria.
Gjithashtu thotë prokuroria u provua se Beqaraj në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.B. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’ parashikuar nga nenet78/1 e 23, 278/4 e 289/1 të Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 1944/2 të vitit 2024, për vrasjen e shtetasit G.B në fshatin Larush të Fushë Krujës, Prokuroria arriti të provojë se i pandehuri I.B. ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegjes së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, I.B. dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit G.B. Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.
Gentjan Bejtja u ekzekutua me 15 mars në banesën e tij. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentjan Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Dy të dyshuarit për vrasjen e tij janë Edison Haxhia dhe Ilir Beqaraj.