TIRANË- Seanca e radhës ndaj Laert Haxhiu është zhvilluar ditën e sotme në GJKKO, ku trupa gjykuese ka thirrur disa dëshmitarë, mes tyre babain dhe motrën e reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin e tij artistik si 'Noizy'. Gjatë dëshmisë së tij, babai i Noizyt ka rrëfyer momentin kur ndodhi ngjarja. Ai ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në vitin 2022, dhe se në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në lokalin e tij ai ka qenë në gjumë dhe biznesi ka qenë i mbyllur.
Ai theksoi se nuk e din kush është autori dhe se familja e tij nuk ka pasur konflikte me askënd. Në një moment ai u pyet nga prokurori për emrin e Kleviol Ahmetit, i njohur ndryshe me emrin 'Clevio'.
Në lidhje me këtë, ai tha se Ahmeti ka pasur “fërkime” me djalin e tij për çështje xhelozie, përsa i përket industrisë së muzikës ku të dy ata janë pjesë. Në fund, ai tha se nuk është në dijeni se mes djalit të tij dhe Kleviol Ahmetit ka pasur konflikt fizik.
Pjesë nga diskutimet në sallë
Bashkim Rajku: Ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në 2022. Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt, e kemi dëgjuar zhurmën. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i mbyllur lokali. Administratorja e dyqanit të rrobave është vajza ime, nuk ka qenë aty. Djali im është muzikant. Kur ka ndodhur ngjarja nuk e mbaj mend ku ka qenë. Djali jeton në banesë tjetër, aty afër, në të njëjtin pallat. Zbritëm kur dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë, nuk e di nëse ka zbritur njeri tjetër. Pashë xhamat e thyer, prishur gjithçka. Lokali 100 metër katror, në kat të parë të pallatit. Roje s’ka pasur. Ne nuk dimë asgjë me çfarë lidhej ngjarja. Nuk e njoh as nuk e di autorin. S’kemi pasur probleme me askënd. Djali artist është, ku di gjë unë… Konflikt të madh nuk kemi, por çështje xhelozie…
Prokurori: E ke dëgjuar një Kleviol Ahmeti?
Bashkim Rajku: Ka pasur fërkime, çështje xhelozie me djalin tim. Më duket se nga Lushnja është.
Prokurori: Kur thoni xhelozi, për çfarë?
Rajku: Për punë muzike, edhe ai është këngëtar. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre.
Juxhin Kajdo, dëshmitar okular në tentativën e vrasjes së Kujtim Metës në prill 2022 në Lushnjë, dëshmoi të mërkurën në gjyqin ndaj të akuzuarve si anëtarë të një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu. Autorësinë e atentatit e ka pranuar i penduari i drejtësisë në këtë proces, Artan Tafani, i cili ka pretenduar se ngjarja ishte porosi e Haxhiut.
Dëshmitari Juxhin Kajdo: Kujtim Metën e njoh. E kemi komshi në Lushnjë. Ditën që ka ndodhur atentati ndaj tij, isha duke pirë kafe me tim vëlla. Aty erdhi një person i maskuar, me kapele me syze. Dëgjuam krisma. Unë u fsheha poshtë tavolinës. Pastaj një person aty po thoshte “ndihmë, ndihmë!”. E mora unë bashkë me pronarin e lokalit dhe e çuam në spital. Kujtimi erdhi në lokal 15 minuta pasi isha ulur unë. U ul 2-3 tavolina më larg. U përshëndetëm dhe vazhdova kafen me vëllain. Nuk mbaj mend karakteristika të tjera të atij personi të maskuar. Ai erdhi, iu afrua Metës. Nuk di të them 1 a 2 metra larg. Kur dëgjuam krisma unë u ula poshtë, ndërsa vëllai vrapoi jashtë. Pastaj dola edhe unë jashtë. Unë kisha traumë. Vëllai ka qenë shumë keq pas ngjarjes. Tek lokali kam shkuar pas 1 muaj e gjysmë, se pata traumë me vëllain. Laert Haxhiun e kam dëgjuar vetëm si emër, si lushnjar, kaq. Ne dolëm gjatë krismave, pasi ai e ndoqi nga mbrapa.