
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur, ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, pasi ky i fundit, e cilësoi të papranueshëm vendimin e opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen me SHBA-në. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh senuk ka gjë më të pranueshme në një vend demokratik sesa mbrojtja e Kushtetutës.
Bardhi pretendon se deputetët votuan pa u njohur me tekstin e marrëveshjes dhe se Këshilli i Ministrave ka pasur një muaj kohë për shqyrtimin e saj ndërsa Kuvendi vetëm 4 orë për miratim. Sipas tij, se papranueshme është të çosh miliona euro të shqiptarëve për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërsa për të garantuar sigurinë kombëtare të marrësh borxh, sepse nuk arrin ta financosh atë me fondet e Buxhetit të Shtetit.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Ministri i Mbrojtjes paska konsideruar të papranueshëm dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh. Dikush duhet t’i shpjegojë se:
E papranueshme është të shpërfillësh hapur Kushtetutën e vendit tënd dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. E papranueshme është që deputetët të votojnë pa u njohur me tekstin e marrëveshjes, me të cilën Shqipëria merr një hua prej 302 milionë dollarësh.
E papranueshme është që Këshilli i Ministrave të marrë një muaj kohë për shqyrtim, ndërsa Kuvendit të Shqipërisë t’i jepen vetëm katër orë për miratim. E papranueshme është të çosh miliona euro të shqiptarëve për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërsa për të garantuar sigurinë kombëtare të marrësh borxh, sepse nuk arrin ta financosh atë me fondet e Buxhetit të Shtetit.
E papranueshme është ta trajtosh një marrëveshje strategjike me aleatin tonë strategjik sikur të ishte një urdhër i brendshëm i Ministrit të Mbrojtjes. E papranueshme është që Presidentit të Republikës t’i jepen vetëm 30 minuta për të vlerësuar dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje huaje dhe që ai, brenda po këtyre 30 minutave, të japë pëlqimin pa e lexuar, pa e analizuar dhe pa përmbushur rolin e tij kushtetues të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve.
E papranueshme është t’i trajtosh të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, si anekse të Qeverisë. Mbi të gjitha, nuk ka gjë më të pranueshme në një vend demokratik sesa mbrojtja e Kushtetutës.