TIRANË- Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar sot avokatin Radovan Çela, për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, në hetimet e dosjes Toyota Yaris. Dy ditë më parë, GJKKO dënoi edhe ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.
Hetimi kulmoi verën e shkuar, kur pas zbulimit të komunikimeve nga SKY ECC, për dosjen Toyota Yaris dhe disa zhvillime të tjera, u arrestua Aurel Zarka. Sipas SPAK, avokati Çela dhe prokurori Zarka kanë ndërhyrë edhe për çështjen e Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Në total janë 8 episode ku është evidentuar ndërhyrja në bashkëpunim me njëri tjetrin e anëtarëve të grupit kriminal duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë me qëllim lehtësimin e pozitave ligjore.
Që prej momentit kur u bë arrestimi i Zarkës e deri më sot, në publik ende nuk janë ndarë detaje mbi këtë dosje. Dosja.al është konsultuar me disa burime që e kanë parë materialin në fjalë dhe shprehen se episodet për të cilat janë dënuar Zarka dhe Çela, në bashkëpunim me ish-oficeren Eriona Dautaj, përfshirë disa nga emrat më të rëndësishëm në sistemin aktual të drejtësisë, pa lënë pas edhe politikën.
Që prej korrikut të 2024, SPAK ka ndarë një procedim tjetër ku po heton këto episode dhe personat e ndërlidhur.
Por çfarë ka ndodhur?
Kjo është ende e paqartë. Në kohën kur dy personat e akuzuar si korruptuesit e zyrtarëve të drejtësisë janë dënuar, asnjë fjalë nga prokuroria as në njoftimin për mediat për mbylljen e hetimit, nuk është thënë për procedimin e ndarë.
Çfarë ka ndodhur? Përse SPAK përtyp kocka kur bëhet fjalë për këtë çështje? Si mund të ndodhë që kur mediat zvicerane denoncojnë pareshtur se Eriona Dautaj fshihet në ambientet e ambasadës shqiptare atje, nga kunati i saj, ambasadori Fate Velaj, akoma dhe sot SPAK nuk e ka thirrur një herë Velajn për të ditur rrethanat e këtyre raportimeve?
Ky është edhe thelbi i absurdit, dosjet hapen, zhurmojnë, prodhojnë një spektakël të përkohshëm, dhe më pas mbështillen me heshtje.
Nëse edhe kjo dosje do të mbyllet me një procedim të ndarë për tu varrosur, atëherë SPAK nuk ka përmbysur dot as sistemin e tij, e jo sistemin politik në vend. Dhe kur një institucion i krijuar për të pastruar shtetin nga krimi dhe korrupsioni, nis të veprojë si pjesë e së njëjtës skemë heshtjeje, atëherë problemi nuk është më vetëm korrupsioni.
Dhe në këtë rast vlen një batutë legjendare nga përgjimet e dosjes Zarka, ku oficerja që merrej me përcaktimin e vlerave monetare, shkruante se ajo, Radovani dhe Zarka nuk punonin për vlera qesharake por për premion e madhe, që ishte “Champions League” për ta./Dosja.al