TIRANA- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur aktakuzë ndaj 20 nëpunësve publikë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, duke sjellë dëm për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Hetimet kanë përfshirë periudhën e viteve 2016-2017, në kohën kur ministria drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Procedurat penale lidhen me menaxhimin e tenderëve për trajtimin e karkalecit dhe sëmundjeve të gjedhëve.
20 zyrtarët e dërguar për gjykim janë Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero, Aldin Lika, Ermira Riznavolli, Ismet Bici, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Nica, Admir Ago.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit, në cilësinë e personave me funksione publike, kanë bashkëpunuar për të kryer shkelje të rënda ligjore në 7 procedura prokurimi me një fond total prej 525 milionë lekësh (pa TVSH). Tenderat janë zhvilluar kryesisht përmes procedurës së negociimit pa shpallje paraprake, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike.
Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidentoi mospërmbushje të rregullta të detyrës, përfshirë mangësi në përcaktimin e kritereve të mallrave dhe kryerje të testimeve fiktive të tregut.
Njoftimi i Prokurorisë:
Shpërdoruan detyrën në të paktën shtatë prokurime në Ministrinë e Bujqësisë, Prokuroria Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq 20 nëpunës publikë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 20 persona, nëpunës publikë, të gjithë të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.2069, të vitit 2025, rezultoi se shtetasit M.K., E.H., G.Xh., I.A. A.Gj., L.K. E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N., A.A. kanë kryer veprëm e mësipërme në dëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për shtatë procedura prokurimi, të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525,000,000 lekë pa TVSH.
Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për ‘Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta), “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për ‘Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret’.
Të pandehurit e mësipërm, në cilësinë e personave të ngarkuar me funksion publik, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret. Duke përbërë në këtë mënyrë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë.
Hetimi i procedurave provoi se janë konsumuar elementet e veprës penale dhe se kanë kryer veprime që nuk janë të justifikuara në lidhje me mangësitë për përcaktimin e kritereve të mallrave që kërkohen, por mbi të gjitha krijohet bindja se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive.
Pas njohjes me tërësinë e akteve të sipërcituara, vlerësohet se ekziston bindja e bazuar në prova, se nga ana e anëtarëve të njësisë së prokurimit, është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës, referuar llojit të procedurës së zgjedhur për prokurimet, krim i parashikuar përkatësisht nga neni 248-25 i Kodit Penal.