TIRANA- Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, duke e cilësuar këtë akt si një cënim serioz të lirisë dhe funksionit të mbrojtjes. Në deklaratën zyrtare, Shoqata dënon ndalimin e Bajramit dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm.
Po ashtu, ajo kërkon që të merren masa disiplinore dhe ligjore ndaj çdo funksionari publik që ka abuzuar me detyrën për të ushtruar presion apo intimidim ndaj një avokati në ushtrim të detyrës.
“Ky akt përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës”, theksohet më tej në reagimin e Shoqatës, e cila e konsideron këtë një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e avokatisë dhe të drejtën për mbrojtje të qytetarëve.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë shpreh indinjatën e saj të thellë dhe dënon me forcë aktin e paprecedentë të arrestimit të avokatit Ulian Bajrami gjatë ushtrimit të detyrës së tij me përfundimin e një seance gjyqësore, pas një debati gjazë gjykimit me përfaqësuesin e organit të akuzës.
Sipas informacioneve të bëra publike dhe audios së seancës gjyqësore, avokati Ulian Bajrami u arrestua vetëm për faktin se i komunikoi prokurorit synimin për të bërë kallëzim penal, pasi sipas avokatit ky i fundit kishte manipuluar provat në dëm të klientit që ai mbronte.
Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit, duke cenuar rëndë parimin kushtetues të së drejtës për mbrojtje të pavarur dhe efektive, të garantuar nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati, si pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë, nuk mund dhe nuk duhet të ndëshkohet për ushtrimin e funksionit të tij ligjor në mbrojtje të interesave të qytetarit dhe përballjen e abuzimeve të pushtetit.
Arrestimi i një avokati për shkak të ushtrimit të detyrës është një akt i papranueshëm, që dëmton seriozisht besimin e publikut tek drejtësia dhe cënon ekuilibrin e procesit të rregullt ligjor.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë kërkon:
-Lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të avokatit të arrestuar;
-Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent mbi veprimet e autoriteteve përgjegjëse;
-Marrjen e masave disiplinore dhe ligjore ndaj çdo funksionari që ka keqpërdorur detyrën publike për të intimiduar përfaqësuesin e mbrojtjes;
-Garanci institucionale që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Ky akt është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Arrestimi i një avokati për shkak se ai kërkon zbatimin e ligjit është një mesazh frikësues për të gjithë trupën e avokatëve dhe për qytetarët që kërkojnë drejtësi.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë nuk do të heshtë dhe të lejojë që pavarësia e mbrojtjes të shndërrohet në objekt presioni apo ndëshkimi.”