
ELBASAN- Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, që u vra me dy plumba në kokë mbrëmjen e djeshme (30 Nëntor) në Elbasan. Bëhet me dije se brenda makinës, Audit të djegur, që mendohet se është përdorur nga autorët e krimit, nuk është gjetur armë.
Ndërsa sipas dinamikes, vetëm njeri prej autorëve ka qëlluar, duke dalë nga makina dhe i është afruar Mëhallës duke e qëlluar me pistoletë. Ndërsa personi tjetër që kishte rolin e shoferit ka qëndruar në mjet.
Gjithashtu janë mbledhur disa prova të rëndësishme që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se autorët kanë lëvizur edhe disa herë të tjera përgjatë zonës, pasi duket se kanë pasur dijeni të plotë për objektivin e tyre që ndodhej në karburant.
Autorët, pasi vranë Mëhallën u larguan me makinën Audi drejt Librazhdit dhe në fshatin Mirakë dogjën mjetit, brenda të cilit nuk u gjet asgjë e jashtëligjshme. Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor.
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.