TIRANË- Kryeministri Edi Rama u shpreh se, anëtarësimi në BE nuk është rruga drejt parajsës, por është rruga e sigurt drejt një realiteti ku për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur.
Në turin "BE dhe ti", Rama deklaroi se dita kur populli shqiptar, mori rrugën për të ndërtuar socializmin, nuk ishte rruga drejt parajsës, por drejt ferrit. Sipas tij, sot të gjithë vendet e mëdha të BE-së duan të na marrin me vete, duke nënkuptuar këtu dëshirën për zgjerimin e unionit.
“Është dukur si buzëqeshje e fatit kur populli shqiptar është çliruar nga pushtuesi, është dukur si ardhja e një kohe barazie dhe lumturie. Dita kur populli shqiptar, i çliruar nga pushtuesi, mori rrugën për të ndërtuar socializmin. Koha tregoi se nuk ishte rruga drejt parajsës, por drejt ferrit. Në këtë rast, kjo nuk është rruga drejt parajsës, por është rruga e sigurt drejt një realiteti ku për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga çfarëdo kthese të rrethanave të historisë në dëm të tyre.
Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vendosur rresht në mbështetje të kësaj ëndrre që ka qenë shekullore për shqiptarët, që gjithmonë kanë parë nga Perëndimi. Janë bashkuar yjet sepse nga njëra anë ne kemi bërë një punë të madhe për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë, që deri dje ishte e përbuzur, dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë shqiptarët që janë jashtë ose që dilnin jashtë dhe mjaftonin për të parë fytyrën e policit në kufi për t’u ndjerë se ka diçka që nuk shkon me faktin për të qenë shqiptarë.
Por nuk mjafton kjo. Ti mund t’i bësh të gjitha detyrat e shtëpisë kur je një vend i vogël dhe vendet e mëdha, nëse nuk e kanë në plan të të marrin me vete, ti nuk e kalon dot nivelin. Sot jemi në një kohë kur të gjithë vendet e mëdha të BE-së duan të na marrin me vete, sepse pas një periudhe shumë të gjatë, pa asnjë anëtar të ri të BE-së, Bashkimi Europian ka hapur derën. Jo me fjalë, sepse me fjalë e ka pasur të hapur gjithmonë. Siç thonin dikur ata që sundonin në Shqipëri: ‘Rruga drejt horizontit të kuq është afër’. Ashtu edhe këta: ‘Horizonti blu…’, tani jo më fjalë. Kemi hapur negociatat në një kohë rekord. Kemi qenë të zotë, por kemi pasur edhe një palë që kanë qenë po aq të interesuar që zotësia jonë të vlerësohej”, tha Rama.