TIRANË- Deputeti demokrat Klevis Balliu, deklaroi se inkriminimi i Policisë së Shtetit është një realitet i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Nga foltorja e Kuvendit gjatë një interpelance me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, Balliu theksoi se, pavarësisht problemeve, në radhët e policisë ka ende efektivë të ndershëm që luftojnë krimin e organizuar.
Sipas Balliut, raportet ndërkombëtare evidentojnë korrupsion, infiltrimin e krimit dhe dështimin e procesit të vetingut në polici. Deputeti ngriti shqetësime edhe për intimidimin e gazetarëve dhe rritjen e fuqisë së karteleve shqiptare të drogës, duke e lidhur këtë me dobësinë e sundimit të ligjit dhe korrupsionin institucional.
"Përshëndetje. Përpara se të filloj këtë interpelancë, dua të bëj një sqarim të rëndësishëm. Pavarësisht situatës së rëndë dhe degradimit që ka pësuar Policia e Shtetit si pasojë e inkriminimit të saj, në lidhje me afera të shumta kriminale, edhe në veçanti me kartelet e drogës, brenda kësaj strukture ka ende efektiv të ndershëm që çdo ditë përballen me strukturat kriminale dhe me kartelet që siç thonë raportet ndërkombëtare, janë më të rrezikshmet në Europë. Shumë prej tyre, efektivëve të ndershëm, kanë rënë në krye të detyrës, pikërisht në përplasje me krimin e organizuar dhe me kartelet e drogës.
Beteja jonë për pastrimin e Policisë së Shtetit bëhet në interes të vendit, në interes të sigurisë të qytetarëve, por edhe në emër të atyre efektivëve të cilët kanë dhënë jetën në luftën kundër krimit të organizuar. Për ne sot nuk mund të rrimë pa folur dhe duhet thënë qartë, inkriminimi i Policisë së Shtetit nuk është një akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe kjo është një plagë e madhe kombëtare, sepse këtu nuk cënohet vetëm një institucion, por cënohet siguria e çdo qytetari dhe vetë siguria kombëtare. Raporti i zgjerimit i Komisionit Europian thekson qartë se Policia e Shtetit është ekspozuar në mënyrë serioze ndaj korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar.
Edhe pse ekziston një proces vetingu në polici, raporti nënvizon se ai është i kufizuar dhe deri më sot nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Në shumë raste, ai duket më shumë si një mekanizëm selektiv në fakt, një gjueti shtrigash për të mbrojtur vetë sistemin e ngritur për inkriminimin e Policisë së Shtetit nga vetë kjo, nga vetë kjo qeveri. Raporti evidenton gjithashtu një problem shumë të rëndë. Në rastet kur zhvillohen hetime ndaj zyrtarëve të niveleve të larta, raportohen ndërhyrje dhe intimidime ndaj gazetarëve dhe mediave. Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi një pjesë e madhe e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës janë denoncuar pikërisht nga gazetaria investigative, nga gazetarë që me shumë kurajo kanë ekspozuar kartelet e drogës dhe krimin e organizuar, si dhe aktet kriminale të tyre. Po aq shqetësues është fakti se të njëjtat konkluzione përsëriten nga viti në vit. Raporti i vitit 2023 dhe raporti i fundit vazhdon të ketë të njëjtat probleme.
Në të njëjtën linjë është edhe raporti për narkotikët i Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili evidenton rritjen eksponenciale të karteleve shqiptare të drogës dhe fuqizimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Raporti thekson se kjo rritje është bërë e mundur për shkak të dobësisë së sundimit të ligjit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore. Faktorë që në praktikë po lehtësojnë trafikun e drogës dhe pastrimin e parave janë pikërisht këto: korrupsioni, marrëveshjet e qeverisë dhe politika e tyre në lidhje me kartelet e drogës dhe krimin e organizuar.
Edhe indeksi global i krimit të organizuar përmes indeksit tregon se inkriminimi i institucioneve të shtetit dhe bashkëpunimi i qeverisë me afera korruptive, të cilat përfaqësohen në disa raste edhe te prokurimet nga prestanome të bizneseve të individëve, segmenteve të lartë të krimit të organizuar, është një tjetër arsye pse sot trafiku i drogës jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën po kontrollohet nga eksponentë të lidhur me Shqipërinë, me politikanë shqiptarë, me qeverinë shqiptare dhe pa diskutim, ku Policia e Shtetit si rrjedhojë e inkriminimit ka luajtur një rol shumë negativ.
Po japim disa raste. Keni rastin e Oltion Bistrit, ish-shefi i Operacionales, apo i Henigert Mitrit, drejtor i Policisë Lezhë, ku tregojnë qartë se si individë të niveleve të larta të policisë në bashkëpunim me krimin e organizuar, jo vetëm kanë marrë pjesë në akte kriminale dhe në trafikun e lëndëve narkotike, por ata kanë lehtësuar aktet kriminale të vetë organizatave, siç është rasti me Pllumb Gjokun. Këto raste jo akuza nga Partia Demokratike, jo nga opozita, por të evidentuara nga përgjimet e SPAK-ut, ku këta kriminelë dhe këta individë, bashkë me shumë aktorë të tjerë politikë rezultojnë të përfshirë në këto afera kriminale. Po ashtu, një tjetër rast që ka tronditur opinionin publik është ai i Erjon Ismailajt, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, i cili u përfshi në aferën e Agjencisë Kombëtare," tha Balliu./