Sonte në “Studio e hapur”, gazetarja Eni Vasili ka të ftuar Kryeministrin Edi Rama. Aktualiteti ka qenë i pasur me ngjarje këto kohë dhe shpjegimi i Kryeministrit, padyshim që do ishte i rëndësishëm, për të hedhur dritë dhe kuptuar më mirë se çfarë po ndodh. Por jo vetëm kaq. Rama do ketë mundësi të sqarojë shumë akuza që opozita ka ngritur ndaj tij këto kohë. Kapjen e sasisë rekord të kokainës pak ditë më parë në Portin e Durrësit, opozita ka nxituar ta lidhë menjëherë me emrin e Edi Ramës dhe vëllait të tij. Por kush është peshku i madh në këtë histori, çfarë informacionesh paraprake kishte vetë Rama për këtë operacion? A ka dhënë ai vetë ndonjë orientim mbi këtë aksion dhe pse u la të ikë pronari i ngarkesës ku ishin 613 kg kokainë, ndërkohë që policia kishte marrë dijeni për të kur Çekaj ishte akoma në Shqipëri? Nëse kjo ngjarje mbyllet me fajtor të vetëm Arbër Çekaj, a do quhej njëlloj ‘sukses’ ky operacion?
Ndërkohë në perceptimin publik, ngarkesa të tilla nuk mund të sillen në Shqipëri pa marrë garanci nga politika. Si mund ta bindë Rama opinionin publik që nuk ka gisht ai apo njerëz afër tij,në këtë trafik që është kthyer në një shqetësim serioz edhe për Europën tashmë?
Rama gjithashtu do të flasë edhe për dritëhijet mbi ndërhyrjet e mundshme ruse në politikën shqiptare, ndërkohë që ne tashmë jemi në një axhendë të mirëpërcaktuar perëndime. A ka patur interferenca malinje forcash të huaja në opozitën shqiptare dhe çfarë di Edi Rama për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në Washington? Vetë Rama në njoftimin që ka dhënë në facebook për intervistën e sotme, e ka cilësuar këtë ngarje si “sallatë ruse” e opozitës. Do ishte me interes që të dëgjonim argumentat e Kryeministrit mbi këtë çështje.
Më pas Rama do të sqarojë në këtë intervistë nëse negociatat me Greqinë janë peng i raportit Rama-Meta dhe çfarë pritet të ndodhë brenda muajit prill, para takimit të tij me kryeministrin grek Aleksis Cipras.
Në intervistë nuk do mungojnë edhe pyetje që lindin nga akuzat që opozita ka bërë për të. Si ajo se çfarë e detyroi Edi Ramën të shkonte në një spital privat në Tiranë dhe a u takua aty me Saimir Tahirin?
Padyshim që nuk do të mungojnë edhe pyetjet surprizë, nga ato që në përgjithësi i vënë në siklet politikanët dhe që nuk do donin t’i kishin pjesë të intervistave të tyre. Si gjithmonë gazetarja Eni Vasili ka një as nën mëngë të cilin e nxjerr pikërisht atëherë kur i ftuari nuk e pret.
Mos harroni se dhe pyetjet e publikut në facebook, do të bëhen pjesë e intervistës, prandaj ia vlen ta ndjekim të gjithë këtë intervistë të nxehtë mes Ramës dhe Vasilit, sonte në orën 21 në “News 24”.