
Ish-bankieri britanik Simon Andriesz, i cili kishte vepruar si sinjalizues në çështjen Jeffrey Epstein dhe kishte nxjerrë në dritë të dhëna për marrëdhëniet e dyshuara mes Sekretarit të Tregtisë së SHBA-së, Howard Lutnick, dhe financierit të dënuar për krime seksuale, është gjetur i vdekur. Sipas raportimeve, 57-vjeçari dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Vdekja e Andriesz u konfirmua nga Andy Agathangelou, themeluesi i organizatës Transparency Task Force, e cila kishte organizuar më herët aktivitete me ish-bankierin për mbrojtjen e sinjalizuesve të abuzimeve seksuale.
“Me hidhërim të madh njoftojmë se Simon Andriesz, një anëtar i çmuar i komunitetit tonë, ndërroi jetë javën e kaluar”, deklaroi Agathangelou. Andriesz kishte punuar për më shumë se 35 vjet në tregjet financiare dhe kishte qenë drejtor në firmën financiare BGC Group në Wall Street, ku Lutnick shërbente si CEO.
Zbulimet për Lutnick dhe Epstein
Andriesz kishte deklaruar për BBC-në se kishte gjetur prova që, sipas tij, tregonin se Lutnick nuk kishte bërë të ditur plotësisht një marrëdhënie biznesi me Epstein. Ai pretendonte se kishte zbuluar një seri emailesh të vitit 2018, në të cilat Lutnick dhe Epstein diskutonin mundësinë e një biznesi të ri ku ishin të përfshirë të dy.
Çështja u trajtua nga emisioni investigativ i BBC-së “File on 4 Investigates”, në një episod të transmetuar në korrik me titullin “Dosjet Epstein: Lutnick, Familja Mbretërore dhe Informatori Britanik”. Në shkurt, Lutnick kishte konfirmuar se kishte vizituar ishullin e Epstein në vitin 2012, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme se kishte ndërprerë lidhjet me financierin disa vite më herët. Para Komitetit të Buxhetit të Senatit, ai tha se kishte drekuar në ishull gjatë një pushimi familjar.
Lutnick ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein dhe ka deklaruar se dënon “pa mëdyshje” veprimet që i atribuohen financierit të dënuar seksualisht dhe të gjithë personat që morën pjesë në aktivitetet e tij të paligjshme. Pas transmetimit të emisionit të BBC-së, Andriesz mori pjesë në një aktivitet të Transparency Task Force, ku foli për atë që e përshkroi si keqtrajtim të sinjalizuesve nga rregullatorët britanikë.
Gjatë aktivitetit, ai foli gjithashtu për pasojat personale që, sipas tij, kishte pasur vendimi për të dalë publikisht me informacionet, duke përmendur ndikimin në karrierën, shëndetin dhe familjen e tij. Vdekja e 57-vjeçarit vjen në një kohë kur çështja Epstein dhe marrëdhëniet e tij me figura të njohura politike e financiare vijojnë të jenë objekt debatesh dhe hetimesh.
