
ARD “Deutschlandtrend” (Dojçlandtrend), një sondazh i madh i opinionit publik në Gjermani, konstaton se tani gjermanët e shohin ekonominë si problem më të madh se migrimi. 85 për qind e gjermanëve e vlerësojnë gjendjen ekonomike të vendit si jo të mirë – kaq pak optimizëm pati së fundi vetëm gjatë krizës së euros.
Për të mësuar më shumë, Auron Dodin nga DW, sjell detajet.
A kemi të bëjmë me shqetësim të justifikuar apo thjesht me frikësim të gjermanëve?
A.Dodi: Kemi të bëjmë me një dobësi reale aktuale të ekonomisë gjermane, por që duket më dramatike nga ç’është në të vërtetë. Vendimtare janë dy nivele, që ndahen nga njëri-tjetri. Gjermanët e vlerësojnë gjendjen e vendit të tyre si të zymtë, por janë të qetë për situatën personale të tyre. Më shumë se gjysma e gjermanëve të pyetur presin për veten një vit stabil. Është pikërisht ky hendek në përgjigje, që është domethënës. DIW, një institut kryesor gjerman për kërkimet ekonomike, ka bërë një përmbledhje të qartë të situatës: gjendja shpirtërore te njerëzit është më e zymtë se realiteti. Sondazhe të tilla, pra, masin mbi të gjitha ndjenjat, jo sa para u mbeten njerëzve vërtet në portofol. Shifrat kanë regjistruar frikën, jo mirëqenien.
Po pse është gjendja shpirtërore në Gjermani më e keqe se në vende të tjera?
Ky është konstatimi më befasues i të dhënave. Pesimizmi i tepruar në Gjermani është më i thellë se p.sh. në Itali apo Greqi. Megjithëse atje njerëzit kanë pasur humbje reale të mirëqenies. Gjermanët, si mesatare e popullatës, janë objektivisht më mirë se ata. Por megjithë këtë, ata shohin me pesimizëm më të madh drejt së ardhmes së tyre. Një analiste e njohur gjermane, Florence Gaub, që jeton në Itali, citon një shpjegim të italianëve, pse i marrin italianët gjërat pa alarm: sepse përballja gjithmonë me probleme të shumta, u kishte treguar se dikur të gjitha zgjidhen. Po një pjesë e pesimizmit te gjermanët ushqehet edhe nga mediat sociale. Aty, lajmet negative, tërheqin më fort vëmendjen dhe mbeten më gjatë në mendje.
Por recesioni ekonomik në Gjermani ka qenë real. A nuk paraqitet Gjermania vërtet më keq se shtete të tjera evropiane?
Këtu duhet të ndajmë dy gjëra: ritmin e rritjes dhe nivelin e mirëqënies. Për sa i përket ritmit të rritjes, Gjermania paraqitet jo kënaqshëm. Rritja në Gjermani së fundi ishte e vogël, megjithëse është rritje e një ekonomie shumë të madhe, e së tretës në botë. Po Bashkimi Evropian në tërësi u rrit më fuqishëm. Spanja, Franca dhe Polonia kanë pasur rritje më të madhe.
Tani, mirëqenia e njerëzve mat nivelin e arritur – sa e mirë është gjendja e njerëzve në terma absolutë. Dhe këtu Gjermania qëndron ende shumë lart: ka papunësi të ulët, ka paga reale në rritje, të ardhurat për frymë i ka nga më të lartat në Evropë. Një vend mund të rritet ngadalë ekonomikisht, e prapëseprapë të jetë i pasur. Veç kësaj: Gjermania nuk është më në recesion, që nga fillimi i vitit 2026 ka rritje ekonomike. Janë mbi të gjitha eksportet dhe konsumi privat që e mbështesin rimëkëmbjen. Po, ende nuk kemi një kthesë të vërtetë, por kemi një bazë të qëndrueshme.
Te sondazhi “Deutschlandtrend” këtë herë migrimi nuk është më temë kryesore. A është qetësuar objektivisht kjo çështje?
Për sa u përket thjesht shifrave, po, dhe ndjeshëm. Aplikimet për herë të parë për azil në vitin 2025 gati u përgjysmuan. Ky është niveli më i ulët që nga koha e Coronës. Njëkohësisht u rrit numri i dëbimeve, me rreth një të pestën. Shkaqet kryesore janë kontrollet kufitare dhe një linjë më e rreptë e qeverisë.
Megjithatë një detaj ndikon në këtë tablo: janë rritur aplikimet e reja pas një refuzimi fillestar për azil. Po në fund të fundit, në Gjermani kanë ardhur dukshëm më pak migrantë. Ndoshta prandaj u qetësua edhe debati i nxehtë – shqetësimet për ekonominë e spostuan shqetësimin për migrimin.
Pra, mund të flitet për sukses të plotë përsa i përket problemit të migrimit?
Fjala “sukses” këtu është koncept delikat, sepse Gjermania ka nevojë urgjente për imigracion. Ka nevojë për shkak të demografisë: brezi i Babyboomer-ëve po del në pension. Ky është brezi me lindshmëri të lartë i viteve 1960. Çdo vit largohen nga tregu i punës rreth 300.000 njerëz më shumë sesa hyjnë. Instituti DIW llogarit që pa imigracion, potenciali i rritjes shpejt do të binte në zero. Edhe një fakt: që nga viti 2023, numri i të punësuarve të regjistruar me kontribute shoqërore po rritet vetëm përmes të huajve. Arsyeja është se dalin në pension më shumë gjermanë të moshuar sesa punësohen gjermanë të rinj.
Pa imigracion, numri i fuqisë punëtore deri në vitin 2040 do të binte me dhjetë për qind. Veçanërisht kujdesi shëndetësor, shëndetësia dhe zejtaria vuajnë që tani. Pra, pensionet dhe mirëqenia varen drejtpërdrejt nga migrimi.
Si përputhen të gjitha këto – dhe çfarë do ta ndihmonte Gjermaninë tani më shumë?
Mendoj se duhet të ndajmë qartë dy gjëra. Njëra është migrimi për azil, që ka rënë së fundi. Tjetra është migrimi për punë, që Gjermania e kërkon me ngulm. Nisur nga kjo, një rrugë e zgjuar pra nuk do të ishte më pak migrim, por më shumë nga migrantët që nevojiten. Pikërisht për këtë ndihmon Ligji i reformuar për Imigrimin e Specialistëve të Kualifikuar, që synon t’ia lehtësojë fuqisë punëtore të kualifikuar rrugën drejt Gjermanisë. Përveç kësaj do të ndihmonin reforma të thella, jo vetëm paratë: më pak burokraci, leje më të shpejta, energji me çmim të përballueshëm. Dhe një braktisje e pesimizmit të tepruar. Sepse edhe Instituti ekonomik DIW paralajmëron: Vetë pesimizmi mund ta sjellë krizën që duam të parandalojmë.