
GJERMANI- Gjatë fjalimit në Konferencën e Sigurisë së Munihut, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja dhe Evropa “janë bashkë”.
“Amerika po udhëheq rrugën për një shekull të ri të prosperitetit dhe ne duam që këtë ta bëjmë së bashku me ju, aleatët tanë të çmuar dhe miqtë tanë më të vjetër”, tha Rubio gjatë adresimit të tij kyç në këtë konferencë.
Duke vepruar së bashku me Evropën, tha ai, kjo “do të ndihmojë në rivendosjen e një politike të arsyeshme”.
Fjalimi i Rubios u ndjek nga afër pasi u mbajt në një kohë kur aleanca transatlantike po përjeton tensione dhe vjen pas fjalimit të vitit të kaluar të nënpresidentit amerikan, JD Vance, kur ai kritikoi ashpër udhëheqësit evropianë për rolin e tyre në atë që e përshkroi si erozion të demokracisë në kontinent.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për një divorc të mundshëm transatlantik, sekretari Rubio tha se “ky nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë”.
“Ne nuk kemi nevojë të zhbëjmë institucionet globale të rendit të vjetër që kemi ndërtuar së bashku. Por, ato duhet të reformohen”, tha Rubio. Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, tha ai, synojnë ta udhëheqin “restaurimin” botëror.
Rubio po udhëheq delegacionin amerikan – më të madhin deri më tani që përbëhet nga më shumë se çereku i Senatit të SHBA-së – gjatë ngjarjes vjetore që zgjat tri ditë, dhe ku marrin pjesë qindra udhëheqës evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u pa në audiencë gjatë fjalimit të Rubios.
Sekretari Rubio lavdëroi trashëgimin e pasur kulturore të Evropës, duke theksuar se “ne amerikanët... gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës”.
Një raport i shkruar nga organizatorët dhe i publikuar para konferencës fliste për ardhjen e “politikës shkatërruese” dhe deklaronte: “Më i fuqishmi nga ata që përdorin sëpatën ndaj rregullave dhe institucioneve ekzistuese është presidenti amerikan Donald Trump”.
Konferenca në Munih mbahet në një kohë trazirash botërore, përfshirë mundësinë e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit dhe luftën e Rusisë në Ukrainë, konflikt që nisi në shkurt të vitit 2022.
Sa i përket konfliktit në Ukrainë, Rubio tha se “çështjet për t’i dhënë fund luftës janë ngushtuar, por lajmi i keq është se tani kanë mbetur pyetjet më të vështira”.
Trump e ka bërë prioritet ndaljen e luftës në Ukrainë, por Moska deri më tani ka shfaqur pak vullnet për kompromis, duke bërë që të ngecin dy rundet e fundit të bisedimeve mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Rubio pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gjatë 14 shkurtit në margjinat e konferencës.
Në një sesion të shkurtër pyetjes pas fjalimit me Wolfgang Ischingerin, kryetarin e Konferencës së Sigurisë në Munih, Rubio tha se “çfarë nuk mund të përgjigjem dhe çfarë ne do të vazhdojmë të testojmë është nëse ekziston një zgjidhje që Ukraina mund ta pranojë dhe Rusia mund ta pranojë dhe do të thosha që deri më tani kjo nuk është arritur”.
Duke folur në një intervistë për Bloombergun pas fjalimit në Munih, Rubio tha se “nuk mendoj që është e mundur për Rusinë që madje të arrijë edhe objektivat fillestare që ajo kishte në fillim të kësaj lufte”.
“Unë mendoj se tani [çështja] kryesisht është ngushtuar te dëshira e tyre për të marrë 20 për qind të Donjeckut që aktualisht nuk e zotërojnë. Dhe, kjo është e vështirë”, shtoi Rubio./REL