
SHBA- Departamenti i Efiçencës së Qeverisë (DOGE), një prej nismave më të bujshme të Presidentit amerikan Donald Trump për të zvogëluar përmasat e administratës federale, është shpërbërë. Iniciativa, e prezantuar fillimisht me shumë bujë, kishte për synim të shkurtonte burokracinë dhe buxhetet federale, por kritikët thonë se dha pak rezultate të matshme.
“Një strukturë e tillë nuk ekziston më,” tha për Reuters këtë muaj drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Personelit (OPM), Scott Kupor, i pyetur për statusin e DOGE.
Ai shtoi se DOGE nuk funksionon më si një “entitet i centralizuar”, në komentin e parë publik nga administrata Trump për fundin e këtij institucioni.
I krijuar në janar, DOGE ndërmori hapa agresivë në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump për të tkurrur me shpejtësi agjencitë federale, prerë buxhetet dhe riorientuar aktivitetet e tyre drejt prioriteteve të presidentit. Shumë prej funksioneve të tij janë marrë nga OPM-ja, sipas Kupor dhe dokumenteve të siguruara nga Reuters.
Dy nga figurat më të njohura të DOGE-s tani punojnë në National Design Studio, një strukturë e re e krijuar përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Trump në gusht.
Ky institucion drejtohet nga Joe Gebbia, bashkëthemelues i Airbnb, të cilit Trump i ka ngarkuar detyrën të “zbukurojë” faqet zyrtare të qeverisë.
Gebbia kishte qenë pjesë e ekipit të miliarderit Elon Musk në DOGE, ndërsa punonjësi tjetër, Edward Coristine, i njohur me nofkën “Big Balls”, i ka inkurajuar ndjekësit në X të aplikojnë për t’u bashkuar me nismën e re.
Shuarja graduale e DOGE bie në kontrast të plotë me përpjekjet shumëmuajore për t’i dhënë zë ekzistencës së tij. Trump, këshilltarët dhe sekretarët e kabinetit postonin rregullisht për të në rrjetet sociale.
Sipas Reuters, Musk, i cili e drejtoi fillimisht DOGE-n, e promovonte vazhdimisht punën e tij në platformën X dhe madje njëherë ngriti një sharrë elektrike në skenë për të simbolizuar prerjen e vendeve të punës në qeveri.
“Kjo është sharra e burokracisë,” deklaroi Musk në shkurt në Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Maryland.
DOGE pretendonte se kishte shkurtuar dhjetëra miliarda dollarë shpenzime, por ekspertët e jashtëm nuk mund ta verifikonin këtë, pasi njësia nuk publikoi një pasqyrë të detajuar të punës së saj.
“Presidenti Trump ka marrë një mandat të qartë për të reduktuar shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet në qeverinë federale, dhe ai vazhdon të përmbushë këtë angazhim,” tha për Reuters zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston.
Zyrtarët e Trump prej kohësh sinjalizonin fundin e DOGE-s
Edhe pse administrata nuk e ka pranuar hapur shuarjen e DOGE-s, madje as pas përplasjes së bujshme publike mes Musk dhe Trump në maj, prej verës shenjat u bënë të qarta. Kjo, pavarësisht se vetë presidenti kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikonte ekzistencën e DOGE-s deri në korrik 2026.
Në deklaratat e tij të fundit, Trump shpesh i referohet DOGE-s në kohën e shkuar. Administratorja në detyrë, Amy Gleason, e cila vjen nga fusha e teknologjisë së shëndetësisë, në mars u bë zyrtarisht këshilltare e Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale, Robert Kennedy, krahas rolit të saj në DOGE. Deklaratat e saj publike janë fokusuar gjithnjë e më shumë te detyra e re.
Ndërkohë, shtetet republikane si Idaho dhe Florida po krijojnë struktura të ngjashme lokale.
Një tjetër shenjë e shuarjes së DOGE-s është edhe përfundimi i ngrirjes së punësimeve federale, një nga politikat e saj kryesore. Trump, ditën e parë në detyrë, kishte ndaluar punësimet e reja, me përjashtime të kufizuara për sigurinë kombëtare dhe emigracionin dhe më vonë kërkoi që çdo përjashtim tjetër të miratohej nga DOGE, duke vendosur rregullin “një punonjës i ri për çdo katër që largohen”.
“Tani nuk ka më objektiv për reduktime,” konfirmoi Kupor.
Ish-punonjësit e DOGE marrin role të reja
Shumë nga anëtarët e DOGE-s janë shpërndarë në poste të tjera qeveritare. Më i spikaturi është Joe Gebbia, të cilit Trump i ka ngarkuar detyrën të përmirësojë “paraçitjen vizuale” të faqeve të qeverisë. Studioja e tij e dizajnit ka lançuar tashmë faqe për rekrutimin e oficerëve të rendit në Washington D.C., si dhe për promovimin e programit të çmimeve të barnave të presidentit.
Zachary Terrell, pjesë e ekipit të DOGE-s që pati akses në sistemet shëndetësore federale në fillim të mandatit të dytë të Trump, tani është shef i teknologjisë në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. Rachel Riley, e cila sipas dokumenteve gjyqësore kishte të njëjtin akses, tani drejton Zyrën e Kërkimeve Detare.
Jeremy Lewin, që ndihmoi Musk dhe administratën të çmontojnë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, tani mbikëqyr ndihmën e huaj në Departamentin e Shtetit.
Pas zgjedhjes së Trump, Musk deklaroi se kishte një mandat për të “fshirë malet” e rregulloreve qeveritare. Ai e bëri eliminimin e rregulloreve dhe ristrukturimin e qeverisë me inteligjencë artificiale dy nga shtyllat themelore të DOGE-s, krahas reduktimit të vendeve të punës federale.
Administrata vazhdon të punojë drejt këtij objektivi. Zyra e Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë i ka ngarkuar Scott Langmack, përfaqësues i DOGE-s në Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, detyrën të zhvillojë aplikacione të personalizuara të AI-së që shqyrtojnë rregulloret federale dhe identifikojnë ato që duhen shfuqizuar.
Ndërkohë, Musk është rikthyer sërish në Washington. Këtë javë ai mori pjesë në një darkë të Shtëpisë së Bardhë me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman./REUTERS