TIRANË- Kryetari i Grupit Demokrat Gazment Bardhi ka deklaruar se ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkim të Bajram Begajt si President. Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, Bardhi u shpreh se Begaj nuk mund të vazhdojë më të jetë president, sepse ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Sipas Bardhit, Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës, duke i renditur disa prej tyre. Sipas PD-së, kërkesa është argumentuar gjerësisht në një material voluminoz, ku janë analizuar provat përkatëse të të gjitha shkeljeve të kryera nga presidenti. PD thekson se këto shkelje kanë cenuar rendin kushtetues dhe kanë goditur funksionin e kryetarit të shtetit si përfaqësues i unitetit të popullit.
"Ju bëj me dije se në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kemi dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës Bajram Begaj, për shkelje të rënda, në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kërkesa u ishte argumentuar gjerësisht në një material voluminoz, ku analizohen së bashku edhe provat përkatëse të gjitha shkeljet e kryera të presidentit të Republikës, të cilat i çmojmë se kanë cenuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu, ne jemi të bindur se zoti Begaj nuk mund të vazhdojë më të jetë de jure kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, funksion që, në fakt, de facto e ka humbur prej shumë kohësh. Pas një analize shteruese të provave, faktëve, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm, jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, kemi arritur në konkluzionin se presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda në kuptim të nenit 90, pika 2 e Kushtetutës.
Presidenti ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda. Konkretisht, shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës nga ana e Presidentit janë: dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës; ndërhyrja brutale tek kompetencat e pushtetit vendor; zhveshja e Gjykatës Kushtetuese në 35 vite demokraci.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në këtë shkelje të evidentuar nga ne, ka kryer shkelje të Kushtetutës. Ai ka futur në ngërç kushtetues zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, duke shkaktuar konfuzion te zgjedhësit. Ka marrë kompetencat e gjyqësorit, duke përdorur juridiksionin. Ka shfaqur anësi dhe ka lejuar ushtrimin e pushteteve. Ka prishur ekuilibrin e kontrolleve të pushtetit. Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese. Ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese," tha Bardhi.