Dje në Kamëz u hap zyrtarisht shkolla 9-vjeçare “Angela Merkel”, ndërtuar me mbështetjen e qeverisë gjermane. Ambasada Gjermane në Tiranë e cilësoi hapjen e saj si “një sinjal të fortë për arsimin dhe qëndrueshmërinë në Shqipëri”.
Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Ambasada gjermane uroi të gjithë nxënësit dhe prindërit për një vit të suksesshëm, duke vënë në pah rëndësinë e kësaj shkolle që u ndërtua në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
View this post on Instagram
Me kapacitet për 1.300 nxënës, shkolla “Angela Merkel”, e emëruar pas ish-kancelares gjermane, përfaqëson një standard të ri në arsimin publik shqiptar. Ajo ofron klasa të ndriçuara natyralisht, ambiente moderne mësimore, bibliotekë, palestër qendrore, hapësira të gjelbra dhe një koncept arkitektonik të hapur që nxit bashkëpunimin dhe frymëzimin mes nxënësve.
Projekti është pjesë e një investimi prej 14.5 milionë eurosh, dhënë si grant nga qeveria federale gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), me të cilat janë ndërtuar tre shkolla të reja në mbarë vendin.
Gjatë vizitës në ambientet e reja së bashku me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, Thilo Schroeter, e cilësoi shkollën si “një simbol i qëndrueshmërisë dhe rinovimit”. Ai theksoi se ndërtimi i saj dëshmon se edhe pas një krize të rëndë, siç ishte tërmeti, mund të lindin shpresa dhe mundësi të reja.
“Jemi krenarë që Gjermania, përmes bashkëpunimit për zhvillim dhe mbështetjes së KfW, ka qenë në krah të Shqipërisë në këtë proces rindërtimi,” deklaroi Schroeter.
Shkolla “Angela Merkel” përfaqëson gjithashtu një model të ndërtimit të qëndrueshëm. Falë teknologjive të reja si panelet diellore dhe planifikimit të zgjuar energjetik, konsumi i energjisë është ulur me më shumë se gjysmën, duke kontribuar në mbrojtjen e klimës.
Në fjalën e tij drejtuar nxënësve, Schroeter u shpreh: “Kjo shkollë ju përket juve. Është një investim në të ardhmen tuaj – në arsimimin, ëndrrat dhe aftësinë tuaj për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë në zemër të Evropës.”
Në përmbyllje, ai ritheksoi angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt zhvillimit të qëndrueshëm, sundimit të ligjit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.