SHBA- I bardhë, pa zhurmë dhe dizajnuar për privatësi absolute, aeroplani privat i Jeffrey Epstein nuk ishte thjesht një mjet luksoz udhëtimi për miliarderë dhe miq të fuqishëm. Sipas dëshmive dhe dokumenteve gjyqësore që herë pas here kanë janë publikuar, ai u bë vendi kryesor i veprimit të një prej rrjeteve më të errëta të shfrytëzimit gjatë dekadave të fundit.
Media ndërkombëtare e quajtur “Lolita Express”, një emër që përmbledh në dy fjalë akuzat e rënda për transportimin e vajzave të mitura dhe grave të reja në udhëtime të lidhura me rrethin e pushtetit, parave dhe ndikimit. Brendësia e avionit, siç shfaqet në materiale arkivore, i ngjan më shumë një “lounge privat” të shoqërisë së lartë sesa një aeroplani. Ai ka sedilje lëkure, ndriçim të ulët, hapësira private për pushim dhe një atmosferë që kombinonte luks dhe kontroll absolut.
Në një nga momentet e regjistruara, Epstein shfaqet i ulur relaksuar, ndërsa një grua e re përkulet përpara tij duke i bërë masazh këmbëve, me pamjen dhe veshjen e saj shumë të zbuluar që i ngjante më shumë një skene private të një feste luksoze sesa një shërbimi profesional. Një imazh që, sipas dëshmive, pasqyronte klimën e pushtetit dhe kontrollit absolut brenda aeroplanit.
Në të njëjtat hapësira, sipas dëshmive dhe hetimeve gazetare, duket se janë gjetur edhe gra të reja të lidhura me botën glamuroze të Victoria’s Secret, një lidhje që rriti misterin rreth mënyrës se si Epstein kishte akses në rrethime të mbyllura të modës dhe elitës së biznesit. Kjo rrugë e errët rikthehet sot në qendër përmes serialit dokumentar “Victoria’s Secret: Angels and Demons”.
Përmes materialeve arkivore dhe dëshmive, prodhimi përpiqet të hedhë dritë mbi rrjetin e marrëdhënieve të pushtetit dhe ndikimit që rrethonte Epstein, një rrjet që vazhdon të shkaktojë tronditje dhe të ngrejë pyetje mbi kufijtë e pushtetit dhe fshehjes. Me rigorozitet gazetaresk dhe fokus në verifikimin e fakteve, regjisori i dokumentarit, Mat Tirnauer, përpiqet të rrëfejë historinë provokuese dhe njëkohësisht zbuluese të markës Victoria’s Secret dhe të miliarderit karizmatik por enigmatik Les Wexner, njeriu që e shndërroi në simbol global të suksesit.
Nëpërmjet kësaj rrëfimi zbulohet gradualisht edhe lidhja e ngushtë me Jeffrey Epstein, një lidhje që, sipas dëshmive dhe të dhënave të hetimit, i ofroi status, akses dhe rrjet ndikimi në rrethe biznesi, politike dhe shoqërore elitare. Brenda këtij konteksti pushteti dhe ndikimi, seriali paraqet Jeffrey Epstein jo thjesht si një financier të pasur me lidhje të fuqishme, por si një njeri që e njihte thellësisht mënyrën se si funksionon fuqia e imazhit dhe rrjetet shoqërore.
Dokumentari tregon se, duke shfrytëzuar lidhjen e ngushtë me Les Wexner, të cilit i shërbeu si këshilltar financiar më i besuar për vite me radhë dhe me autorizim të plotë për menaxhimin e pasurisë, Epstein fitoi status, akses dhe një rrjet të fuqishëm ndikimi në politikë, biznes dhe universitete. Hetimi paraqet mënyrën se si Epstein kultivonte sistematikisht marrëdhënie me persona me pushtet, duke përdorur njohjet shoqërore si mjet për të forcuar pozicionin e tij dhe për të krijuar një ambient mbrojtës rreth vetes.
Në të njëjtin kontekst, sipas dëshmive në serial, ai paraqitej para grave të reja si një person që mund të hapte dyer në botën e modës, duke prezantuar veten si “ndërmjetës” me Victoria’s Secret. Ai premtonte mundësi në fushën e modelingut dhe përdorte reputacionin e markës për të krijuar besim dhe për të forcuar imazhin e pushtetit që kishte ndërtuar rreth vetes. Sipas dokumentarit, kjo strategji nuk ishte rastësore, por pjesë e një skeme më të gjerë, përmes së cilës Epstein arriti të formësonte një profil ndikimi dhe statusi, duke shfrytëzuar sistematikisht reputacionin e njerëzve dhe institucioneve që e rrethonin.
Një vend të veçantë në serial zënë dëshmitë e grave që akuzuan Jeffrey Epstein që nga vitet ’90, duke treguar një model të përsëritur afërsi dhe abuzimi. Mes tyre, trajtohet rasti i Alicia Arden, aktore dhe modele që kishte shfaqur në Baywatch, Playboy dhe katalogët e të brendshmeve. Siç tregohet në dokumentar, Arden dorëzoi një raport policor në 1997, duke pohuar se takoi Epstein në një hotel në Santa Monica, duke menduar se ishte një intervistë profesionale që mund t’i hidhte dritë në rrugën e Victoria’s Secret.
Sipas akuzës së saj, ai e preku dhe i dha para, gjë që e shtyu të kontaktojë autoritetet. Po aq tronditëse është dëshmia e Maria Farmer, një artiste e re që takoi Epstein në 1996, kur ai i propozoi të kalonte verën në një pronë të lidhur me Les Wexner për të përkushtuar veten në pikturë. Ajo tregon se, duke mbërritur në pronë, hasi kufizime të rrepta lëvizjeje dhe mbikëqyrje të fortë nga sigurimi.
Sipas deklaratës së saj, pas disa javësh, Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell e sulmuan seksualisht në shtëpinë e pushimit, dhe kur përpiqej të thërriste ndihmë, nuk pati reagim të menjëhershëm nga autoritetet. Farmer pohon se u mbajt kundër dëshirës së saj për orë të tëra para se të arrinte të largohej.
Brendësia e Lolita Express
Për vite me radhë, një Boeing 727–100 i bardhë fluturonte heshturazi mbi qiell, duke transportuar një nga personat më kontroversë të elitës ndërkombëtare dhe të ftuarit e tij të zgjedhur. Aeroplani privat i Jeffrey Epstein, nuk ishte thjesht një mjet luksoz, por një simbol pushteti, ndikimi dhe, siç u zbulua më vonë, i një skene të errët që për vite mbeti e padukshme.
Përshtatur në version VIP, avioni i ngjan më shumë një suite fluturuese sesa një aeroplani konvencional: sedilje lëkure, sallon argëtimi me kinema të brendshme, lounge për takime private, kuzhinë e pajisur plotësisht dhe në pjesën e pasme një dhomë private me banjo dhe dush.
Mund të akomodonte rreth 29 pasagjerë në kushte privatësie absolute, dhe kishte pajisje moderne teknologjike, duke lejuar pronarin të punonte gjatë fluturimit, si në një zyrë pushteti. Epstein udhëtonte shpesh me këtë aeroplan, duke regjistruar qindra orë fluturimi çdo vit, zakonisht me të ftuar nga lartësitë e politikës, biznesit dhe jetës artistike.
Në regjistrat e fluturimeve që janë zbuluar, shfaqen emra të njohur ndërkombëtarisht, duke forcuar imazhin e një rrjeti me prestigj që rrethonte financierin dhe i jepte fuqinë dhe ndikimin shoqëror. Vetë nofka Lolita Express, e frymëzuar nga romani i Vladimir Nabokov, nuk u zgjodh rastësisht.
Ajo reflekton hije të rënda të akuzave që shoqëruan rastin, pasi aeroplani lidhej me dëshmi për krime seksuale dhe shfrytëzim të vajzave të mitura. Avioni, me numër regjistrimi N908JE dhe pronësi të kompanive të Epstein, u shit në 2017 dhe më pas u shkatërrua, duke lënë pas një nga imazhet më të errëta dhe ikonike të epokës moderne, një simbol fluturues luksi që u bë pjesë e një skandali global.
Ndërkohë, Lolita Express është rikthyer në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare, pasi ditët e fundit po zhvillohet një hetim i ri mbi fluturimet private të avionit dhe itineraret e tij për dekada. Sipas të dhënave që citon një hetim i fundit i BBC, aeroplani privat i Epstein realizoi gjithsej 87 fluturime nga dhe për në aeroporte britanike midis fillimit të viteve ’90 dhe 2018, ndërsa të paktën 15 prej tyre u regjistruan edhe pas dënimit të tij në 2008 për depërtim seksual të të miturave. Në fokus të autoriteteve është kryesisht Aeroporti Stansted në Londër, nga ku avionit thuhet se është përdorur herë pas here si qendër transporti.
Policia e Essex ka njoftuar se po vlerëson informacion të ri pas publikimit të regjistrave nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ndërsa është krijuar një grup i veçantë mbështetjeje për hetimin e ankesave. Hetimi i BBC zbuloi gjithashtu se në disa nga këto fluturime ishin gra britanike që pohuan se ishin abuzuar nga Epstain.
Njëkohësisht, ish-kryeministri britanik Gordon Brown kërkoi rishikimin e menjëhershëm të të dhënave, duke theksuar se emailet në regjistra tregojnë që Stansted përdorej si stacion ndërmjetës për transportimin e grave nga vendet e Europës Lindore. Sipas të njëjtave të dhëna, regjistrat e fluturimeve shfaqin boshllëqe të rëndësishme, me pasagjerë që shpesh regjistrohen anonim.