
TIRANË- Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi ka deklaruar se nuk ka fakte penale të paraqitur në dosje por veçse shpifje të Taulant Ballës.
Malltezi ka paraqitur disa argumente, që sipas tij, tregojnë qartë se ky është një proces i hapur politik. Duke bërë një përmbledhje të librit të publikuar nga vetë ai, titullin ‘Procesi Politik kundër Liderit të Opozitës dhe Pronarëve Legjitimë’, Malltezi ka ballafaquar pretendimet e prokurorëve të nënshtruar politikisht.
‘Siç jeni ne dijeni, në këtë proces politik nuk ka asnjë fakt penal, përndryshe do ishim duke diskutuar ndonjë prej tyre, ka një shpifje të Taulant Ballës për kinse tokën e pronarëve themelues të Tiranës, dhe ndonëse është vërtetuar shpifja dhe kallëzimi i rremë i Taulant Ballës sërish nuk ka ndjekje penale për kallëzuesin e rremë. Prokurorja është promovuar nga Elbasani në SPAK, kur Taulant Balla ishte drejtues politik i PS për Elbasanin.
Shpifja e Taulant Ballës bëri që gjithë drejtësia e re të fuste kokën nën çarçaf dhe gënjyen trashë, derisa vetë gjykata e Strasburgut të nxirrte deklaratën publike para 2 javësh ku gjente shkelje të rënda në pengimin e aksesit të Malltezit në Gjykatë.
Një tabelë me 16 veprime te prokurorëve fill pas urdhrit të Edi Ramës për të proceduar penalisht Sali Berishën, të deklaruar publikisht në Kongresin e PS me 09.04.2022 dhe të përsëritur në Asamblenë e PS me 07.05.2022: "Zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni, po dështoni SPAK dhe gjithë reformën në drejtësi!"
Keni sqarimet e 20 zonave sportive që Edi Rama ka kthyer në zona banimi, por që prokurorët politikë nuk guxojnë as ta thërrasin për dëshmitar.
Keni rastin e sqaruar të ‘shpërdorimit të detyrës’ nga Edi Rama të lidhur pikërisht me këtë tokë që donte ta grabiste me leçjanin e radhës, dhe që kur i doli që një nga pronarët ishte Malltezi, atëherë shpërdoroi detyrën dhe solli dëm financiar por sërish nuk ka procedim penal nga prokurorët e nënshtruar politikisht.
Keni edhe sqarimin e tokës që u la për shkollë të mesme por e grabiti Edi Rama me 4 VKM nominative për 9 muaj dhe ia fali lëpirësit të tij, siç i ka falur shumë prona publike në Tiranë.
Kini parasysh se fillimisht prokurorët ju mashtruan juve dhe opinionin se kinse Berisha ka miratuar ligje dhe VKM nominative, por nuk çuan asnjë prej tyre në Gjykatën Kushtetuese si i vetmi organ që të thotë nëse ndonjë ishte nominative, pra e dinin që po gënjenin por u nënshtruan politikisht!
Ky libër është depozituar në Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekat e universiteteve kryesore në vend, dhe do përkthehet në Anglisht brenda muajit për ta pasur bibliotekat e tjera ndërkombëtare por edhe GJEDNJ apo studiuesit e shumtë që mund të gjejnë shembuj të qartë sesi kapja e drejtësisë bën që prokurorët dhe gjyqtarët të kthehen në puthadorë të regjimit dhe të tallen me profesionin, duke u kthyer në falsifikatorë të rëndomtë.",tha Malltezi./