
Në një rrëfim tronditës, Charlize Theron foli për natën që i ndryshoi jetën, kur nëna e saj qëlloi dhe vrau babanë e saj në vetëmbrojtje.
Në një intervistë për The New York Times, aktorja tregoi për ngjarjen traumatike të vitit 1991, kur ishte vetëm 15 vjeç. Siç përshkroi ajo, ajo dhe nëna e saj kishin vizituar shtëpinë e xhaxhait pas kinemasë dhe babai i saj u zemërua sepse ajo nuk njoftoi ardhjen, por hyri menjëherë me vrap për në banjë. “Më duhej urgjentisht të shkoja në tualet,” shpjegoi ajo. “Kështu që hyra me vrap në shtëpi për të arritur në kohë, dhe ai e mori si mungesë respekti, sepse nuk ndalova të përshëndes të gjithë.”
Theron shtoi: “Në Afrikën e Jugut, respekti ndaj më të mëdhenjve është shumë i rëndësishëm. Dhe ai ishte në një gjendje që thjesht doli jashtë kontrollit. Ishte diçka si ‘Pse nuk ndalove? Kush mendon se je?’”.
Aktorja kujtoi se u largua dhe i kërkoi nënës së saj ta ndihmonte për të shmangur një përplasje të mëvonshme me babanë. “E dija që ishte i zemëruar me mua. Kështu që i thashë ‘Kur të vendosë më në fund të vijë në shtëpi, të lutem thuaji se jam duke fjetur’,” tha ajo.
“Shkova në dhomën time, fika dritat dhe isha e frikësuar. Dritarja ime shihte nga rruga, dhe mund ta kuptoja nivelin e zemërimit, zhgënjimit apo trishtimit nga mënyra se si drejtonte makinën kur vinte,” tha ajo. Më pas shtoi: “Thjesht e dija që diçka e keqe do të ndodhte.”
Më pas, Charlize Theron kujtoi se babai i saj “hyri me forcë në shtëpi”, duke qëlluar “përmes dyerve metalike për të hyrë, duke treguar qartë se synonte t’i vriste”, dhe përshkroi momentin kur nëna e saj vrapoi drejt kasafortës për të marrë armën e saj përpara se të kthehej në dhomën e vajzës. “Po e mbanim derën me trupat tanë, sepse nuk kishte bravë”, tha ajo.
“Ai thjesht bëri një hap pas dhe filloi të qëllonte përmes derës”, vazhdoi ajo, duke shtuar se ishte “e pabesueshme” që “asnjë plumb nuk i goditi”.
“Mesazhi ishte shumë i qartë: ‘Do t’ju vras sonte. Mendon se nuk mund të hyj nga kjo derë? Më shiko. Do të shkoj te kasaforta, do të marr pushkën’”, theksoi aktorja.
Ajo kujtoi gjithashtu se si babai i saj, ashtu edhe xhaxhai i saj, i cili thuhet se e shoqëronte, u qëlluan. “Ai po shkonte drejt kasafortës dhe nëna ime hapi derën ndërsa vëllai i tij ende qëndronte aty”, tha ajo.
Theron rrëfeu: “Xhaxhai vrapoi në korridor dhe ajo qëlloi një plumb në atë drejtim, i cili u përplas shtatë herë dhe e goditi në krah. Janë gjëra që nuk mund t’i shpjegosh. Pastaj ajo ndoqi babanë tim, i cili në atë moment po hapte kasafortën për të marrë më shumë armë, dhe e qëlloi”.
Aktorja pranoi se për vite me radhë ndjente se ishin “të vetmit njerëz” që kishin përjetuar diçka të tillë, duke theksuar sa e rëndësishme është të flitet hapur për këto përvoja që të tjerët të mos ndihen të vetmuar.
Sot, ajo thotë se e kaluara nuk e përndjek më dhe pranon se nëna e saj zgjodhi një mënyrë për ta përballuar situatën duke ecur përpara. “Të nesërmen në mëngjes më dërgoi normalisht në shkollë. Ishte sikur të thoshte ‘vazhdojmë përpara’”, tregoi ajo.
Aktorja ka folur edhe më parë për këtë traumë, si dhe për dhunën ndaj grave, duke theksuar se është një problem i përhershëm dhe global.