
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ai tha se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës. Por, ai shtoi se ato do të ndodhin së shpejti.
“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, tha Kurti.
Kurti tha se konsultimet e brendshme do t’i zhvillojë sot dhe nesër e pastaj do të vijnë ftesat për opozitën.
I pyetur se a do të tërhiqen kandidaturat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës, dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçakut, për postin e presidentit, Kurti tha se “do të shihet se cka është e mundur ligjërisht”.
Sipas tij, për të qenë i sigurt procesi i zgjedhjes së presidentit, nevojitet një mbështetje edhe më e gjerë në Kuvend.
“Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, theksoi ai.
Kurti nuk dha detaje se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur vetëm pasi të zhvillohen ato.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Më 25 mars, Kushtetuesja vendosi se deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.
Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës janë paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, kryeministri kishte dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se preferonin të prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.
Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.
Ndërkohë, të premten, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe do të vazhdojë sapo të krijohen kushtet për votim.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.
Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.
Zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila përmbyll mandatin e saj më 5 prill.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.
Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.
Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje brenda afatit të caktuar, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, vetëm pak kohë pas përfundimit të atyre të fundit./REL