
SHKODËR-Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 29 dhjetor, ku Hysni Ymeri humbi jetën si pasojë e një shpërthimi. Në lidhje me ngjarjen në pranga janë vendosur Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Katër të arrestuarit dyshohet de kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte 67-vjeçari.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike dhe kokaine, pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Kush është Hysni Ymeri
Hysni Ymeri është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit. Por, disa vite më vonë, dy familjet kishin arritur pajtimin.
Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës.
Historia e dhunës në familjen Ymeri përfshin incidente të tjera të lidhura me vrasje në vitet e fundit. Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.
Megjithatë, ngjarja mbetet ende e paqartë dhe pritet dëshmia e të rinjve./