
TIRANË- Detaje të rej janë publikuar nga dosja e SPAK për grupin kriminal “Rraja”, ku 14 persona akuzohen për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në të paktën tre episode të dokumentuara nga hetimet. Sipas dosjes hetimore të SPAK, të siguruar nga Syri.net, grupi përdorte nofka në SKY ECC për të komunikuar me njëri-tjetrin.
Në një nga bisedat e zbardhura në SKY ECC, anëtarët e grupit flasin hapur për dështimin e një rruge trafiku në Mal të Zi. Në vijim të bisedës, anëtarët shprehin dyshime për bashkëpunim me autoritetet nga persona të përfshirë në rrugën e trafikut që u godit në Mal të Zi
Sipas dokumenteve hetimore, nga këto biseda janë identifikuar edhe nofkat e përdorura nga disa prej anëtarëve të grupit kriminal:
• Bujar Sefa – “Venecia”
• Hajdar Sefa – “Bruxel”, “Detroit USA”, “GjoranKruja”
• Vidjan Baroka – “Rrushi”, “New ✌️”, “Plaku”, “979”
“Kanë ra kutitë dje në Podgoricë”, shprehet një prej të akuzuarve, duke iu referuar kapjes së një sasie prej 1.7 tonësh kanabis.
“Na marshin t’keqen”, ia kthen bashkëbiseduesi.
“Paskan bashkëpunu me shtetin ato që kishin rrugën që ra në Mal të Zi, mos mani gjo nëpër shpia”, thuhet në komunikimet e zbardhura.
Grupi kriminal përbëhej nga 14 persona, ku 10 janë vënë në pranga ndërsa 4 vijojnë të jenë në kërkim. Nga goditja e grupit në pranga përfundoi Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja. Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit rezulton të jetë i përfshirë në trafikimin e sasisë prej 236 kg marijuanë, që u sekuestrua në një kamion në Turqi me 26 janar 2021.
Gjithashtu Rexhep Rraja dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë episod me Elton Bogdanin, i dënuar nga drejtësia turke, Bujar Sefën, Agim Ninën, Jani Çavëm. Sikurse rezulton në dosje, Rexhep Rraja kishte në Sky Ecc nofkat “XR1”. Sipas prokurorisë, grupi kriminal dyshohet për 3 episode trafiku, droge, dy prej të cilave marijuanë, dhe një kokainë.
Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.
Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.