
TIRANË- Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar me një postim pas vendimit nga Gjykata e Lartë për tu lënë në burg, duke thënë se nuk është i habitur për këtë vendim. Salianji deklaroi se ky është një vendim i kërkuar dhe i stisur nga Edi Rama dhe rruga më e shkurtër që zgjodhi Gjykata.
Salianji shtoi se ky dënim i është bërë me qëllimin për ta eleminuar nga beteja politike si edhe është një këcënim për këdo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien në pushtet. Ndër të tjera Salianji tha se dënimi i tij do të hyj në turpet historike pasi është përdorur për hakmarrje perosnale nga Rama e Xhafaj.
Lënia në fuqi e një ndëshkimi të nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama e draftuar prej tij, e lajmëruar prej tij në Parlament, mbrojtur me zjarr prej tij, është rruga e shkurtër dhe komode që Gjykata e Lartë zgjodhi sot. Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën. Kjo është një vijë sjellje. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s'do të guxonin të firmosinin farsat që firmosen.
Dënimi im politik bëhet për të më eleminuar nga beteja politike! Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër.
Denimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet. Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat! Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalen, është një medalje. Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbeshtetur për këtë.
Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzeve gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj. E nisën duke paguar deshmitarë të sajuar, u kapen në pergjime drejtorët e policisë duke paguar dëshmitarin e sajuar, manipuluan në gjykata duke caktuar gjyqtar si fillim ushtarin e Aldo Bares, me pas me kunatën e Belinda Ballukut dhe ish përfaqesuesin e PS në KQZ dhe sot duke manipuluar shortin në Gjykatë të Lartë, zëvëndësuan trupën gjyqësore e lanë për të më gjykuar ish-ministrin e drejtësisë së Partisë Socialiste dhe një komunist, birin e ish-drejtorit të dëbim internimeve dhe ish-sekretar të parë!
Nuk janë këto institucionet që meritojmë, nuk janë shtet i së drejtës dhe as sundim i ligjit. Për cilindo që shqetesohet i them ta marrë paradhënie dhe zvarritjen dhe vendimin kundër në Gjykatë Kushtetuese, dhe më pas do shohim se si do jetë e drejta në Strasburg. Unë do të luftoj e do ta kërkoj të drejten deri në fund. Shqipëria do të jetë nje vend më i mirë kur të ketë drejtësi, kur Gjykatat do të kenë kurajon të japin drejtësi edhe kur kjo nuk i pelqen autokratit. Ky vend i mirë mund të duket utopi, por nuk është e largët dita ku dhe për drejtësinë fjalën e madhe do ta kenë qytetarët. Pavarësisht se nga izolimi së bashku do të luftojmë për një Shqipëri të denjë e normale ku sundon ligji! Personalisht zgjedh betejën dhe jo qurravitjet! Nderin dhe respektin e qytetarëve e kam fituar unë, turpin dhe neverinë e hanë me korrupsionin e përditshëm “të burgosurit” e autokratit, që nuk kanë as ndërgjegje dhe as guxim të shkojnë as në tualet pa lejen e tij!
Ish-deputeti demokrat është dënuar me një vit burg për dosjen "Babale". Ai është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare. Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Çfarë është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.