TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar një deklaratë të fortë publike, ku ka rrëzuar të gjitha akuzat e Prokurorisë së Posaçme duke e cilësuar procesin ndaj tij një “farsë gjyqësore”, të bazuar në “të pavërteta dhe falsifikime”. Në një letër të lexuar nga Sekretai i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, Meta ka mohuar çdo akuzë për çështjet “CEZ-DIA”, lobimin në SHBA dhe fshehjen e pasurisë, duke theksuar se pas tetë vitesh hetime, ndaj tij nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal.
Duke e nisur me procesin hetimor, Meta pretendoi se prokurorët nuk i kanë vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes dhe i kanë paraqitur dëshmi të cunguara, duke e quajtur të gjithë procesin pa asnjë lidhje me drejtësinë.
Për akuzën e lobimit në SHBA, kreu i PL-së mohoi çdo shkelje të ligjit shqiptar apo amerikan. Meta pohoi se kontrata e partisë së tij me kompaninë lobuese ishte e detajuar dhe me mekanizma parandalues për çdo veprimtari të dyshimtë, duke premtuar se do ta bëjë publike kontratën pas përfundimit të seancës paraprake.
Mbi pasurinw, Meta njoftoi se vajza e tij, Bora, ka porositur një akt-ekspertimi financiar që, sipas tij, rrëzon pretendimet e prokurorisë. Meta deklaroi se të ardhurat e tij të ligjshme për periudhën 1995-2023 arrijnë vlerën e mbi 87 milionë lekëve të reja, pa llogaritur të ardhurat si deputet që nga viti 1992 dhe pagesat si ish-President.
"Nuk më kanë vënë në dispozicion një pjesë të mirë të akteve të dosjes të kërkuara nga unë me insistim në seancat gjyqësore. Madje në seancën e fundit, m'u dorëzua nga prokurorët një dëshmi e cila kishte vetëm tre faqe, por që nuk dihej se sa faqe nuk i gjendeshin. Nuk dua të zgjatem me plot anomali të tjera të kësaj farse gjyqësore, që s'ka asnjë lidhje me procesin e rregullt ligjor, sepse avokatët e mi të nderuar, zoti Kujtim Cakrani dhe zoti Grysen Zhlima, janë aty për të dhënë sot çdo sqarim me transparencë dhe profesionalizëm. Por shkurtimisht, dua t'ju theksoj me përgjegjshmëri absolute se edhe pse kemi hyrë në vitin e tetë të hetimeve ndaj meje, nuk ekziston asgjëkundi asnjë provë apo fakt penal kundër meje.
Edhe pse kemi insistuar në çdo seancë që prokuroria të dorëzojë listën e provave të pretenduara prej saj, kjo gjë nuk ka ndodhur në shkelje të procesit të rregullt ligjor. Lidhur me akuzat për çështjen ÇEZ-DIA, dua të theksoj se kjo çështje është gjykuar dy herë brenda vendit dhe në arbitrazhin e Vjenës. Lidhur me gjykimin e saj brenda vendit tonë, asgjëkundi dhe asnjëherë nuk është përmendur emri im. Ky është edhe vendimi i Gjykatës së Lartë për çështjen DIA, ku asgjëkundi në asnjëherë në këtë vendim prej 31 faqesh nuk përmendet emri i Presidentit Ilir Meta. Po kështu, çështja ÇEZ-DIA është e vetmja çështje ku shteti shqiptar nuk ka dalë me humbje, por me fitim, pasi dëmi efektiv për shtetin shqiptar ka qenë rreth 1 milion euro si aksioner me 24% të kompanisë ÇEZ Albania. Ndërkohë që zotit Kastriot Ismaili i janë sekuestruar mbi 4 milionë euro që në vitin 2014. Ndërsa lidhur me spekulimet mediatike të shpërndara nga një media sorosiste, duke iu referuar arbitrazhit të Vjenës, ka dy sqarime të qarta zyrtare dhe publike të bëra nga Clifford Chance, studio ligjore që mbrojti interesat e shtetit shqiptar, ku rrëzohen të gjitha këto spekulime.
Janë pikërisht këto dokumenta, të cilat ne do t'ua vëmë në dispozicion, janë bërë dhe publike prej kohësh më fakt, por që qëllimisht nuk i jepet rëndësi. Po kështu, dëshmitë e zotit Hesek në Prokurorinë e Tiranës në dhjetor të vitit 2011, janë të plota dhe shteruese se si është përzgjedhur DIA nga bordi i ÇEZ-it, pas prezantimit të bërë në Pragë dhe propozimit të bërë në mars 2010, përpara se të regjistrohej në Tiranë në datën 4.8.2010. Po kështu janë të qarta në këtë dëshmi edhe referencat amerikane që ka paraqitur DIA për të fituar besimin e bordit të ÇEZ-it në Pragë. Po kështu është e njohur edhe partnerja amerikane e zotit Ismaili në DIA, e cila është përfshirë edhe në gjykimin e brendshëm, pra në anën shqiptare, edhe në arbitrazhin e Vjenës.
Lidhur me akuzën për lobimet, dua t'ju siguroj se nuk ekziston asnjë provë apo fakt që Ilir Meta të ketë shkelur ligjin shqiptar apo amerikan, por nuk ekziston asnjë fakt gjithashtu që Ilir Meta të ketë patur dijeni që një person tjetër, shqiptar apo amerikan, po shkelte ligjin për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nënëvizoj se kontrata e Lëvizjes Socialiste për Integrim me kompaninë GSIS është shumë e mirë-detajuar dhe parandaluese për çdo veprim të dyshimtë nga cilido. Kur të mbarojë seanca paraprake, ne do të publikojmë kontratën, por edhe letër-porositë e dërguara, të cilat kanë synuar jo zbulimin e së vërtetës, por mjegullimin dhe fshehjen e të vërtetave. Lidhur me çështjen e pasurisë dhe deklarimeve të pasurisë, dua të theksoj se akuzat e tre prokurorëve janë të bazuara mbi të pavërteta dhe falsifikime. Me këtë rast, dua të falenderoj vajzën e madhe Bora, e cila ka porositur një akt ekspertimi ligjor-financiar që do ta paraqitim në gjykatë, i cili rrëzon pretendimet absurde të prokurorisë, ku provohet se të ardhurat e mia të ligjshme për vitet ‘95-2023 janë mbi 87 milionë lekë të reja, pa llogaritur faktin se të ardhurat e mia si deputet fillojnë që në prill të vitit 1992, apo pagesat si ish-president në vitet 2024-2025.
Shpreh keqardhjen time të thellë për harxhimet e pafundme që kanë bërë tre prokurorët e SPAK-ut me letër-porositë e tyre anë e mbanë planetit tonë, nga Britania e Madhe, në Afrikë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar pasuri të patundshme apo llogari bankare të fshehura nga ana ime. Jam krenar që ky hetim përndjekës dhe bazuar vetëm mbi shpifje ka rezultat shumë të qartë: zero qindarkë e padeklaruar apo e paligjshme nga unë, zero metër katror apo pasuri e patundshme e padeklaruar nga unë apo e sekuestruar nga SPAK. Duke qenë i bindur se avokatët e mi të nderuar, zoti Cakani dhe zoti Zhlima, do ju përgjigjen me transparencë, dua t’u siguroj se jam i hapur për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë këtu në IEVP 313, Jordan Misja. Siç e dini, edhe në Rusi i lejojnë mediat të intervistojnë kundërshtarët e regjimit në burgje, ndaj kjo mundësi s’ka pse t’ju ndalohet edhe ju. Ky ishte mesazhi i zotit Meta," lexoi Blushi.