
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Belinda Ballukut për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra. Sipas një njoftimi zyrtar, Balluku paraqiti sot më 13 mars 2026 pranë gjykatës kërkesën për “revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues ‘pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’”, masë kjo e vendosur ndaj saj me vendimin nr. 118, datë 19 nëntor 2025, nga e njëjta gjykatë.
Në kërkesën e saj, Balluku kërkonte konstatimin e shuarjes ose rënies së kësaj mase sigurimi, e cila përfshin pezullimin nga funksionet e larta shtetërore si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Erjon Çela vendosi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Balluku.
1. Kërkuesja (e pandehura) Belinda Balluku me datë 13.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të caktuar ndaj kërkueses me Vendimin Nr. 118, dt.19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Konstatimin e shuarjes/rënies së kësaj mase sigurimi personal me karakter ndalues.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 260/1, 262/2 dhe 267 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 229 datë 13.03.2026, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (të pandehurës) Belinda Balluku.
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 13.03.2026. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Ish- zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.