
TIRANË- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka deklaruar ditën e sotme se eksporti nuk është thjesht shitje jashtë vendit, por garanci për konsumatorin. Gjatë fjalës së tij në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, Salla u shpreh se raporti i eksportit sot ka arritur në 1 me 3 krahasuar me raportin 1 me 7, 10 vite më parë.
Ai tha se synimi i Bujqësisë 2030 është që eksportet bujqësore dhe të shkojnë në 1 miliard USD në 2030. Sipas tij, për tu rritur eksporti kërkohen dhe investime. Ministri tha se për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliard lekë mbështetje investim.
"Përshëndetje AIDA, përshëndetje për këtë takim që bën bashkë të gjithë bizneset, të gjithë ata që eksportojnë, sidomos në bujqësi dhe agropërpunim, ku potenciali është i madh, por edhe standardet janë më kërkuese se kurrë. ExportON vendos në një tryezë të vetme: politikat e eksportit, financimin, standardet, promocionin dhe pengesat reale të sektorit privat.
Sot, eksporti nuk është thjesht shitje jashtë vendit; është besueshmëri, certifikim, dhe mbi të gjitha garanci për konsumatorin. Raporti i eksportit sot ka arritur në 1 me 3 krahasuar me raportin 1 me 7, 10 vite më parë. Ne kemi synimin që të arrijmë në raportin një import dhe dy eksport.
Eksportet tona shtrihen në 80 shtete, dhe BE-ja mbetet partneri kryesor, me rreth 58% të vlerës totale të eksporteve bujqësore. Struktura e eksporteve tregon ku jemi të forte, ku zarzavatet zënë peshën më të madhe në sasi dhe vlerë të ndjekura nga peshku e produktet e detit.
Kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur, sepse në BE të hapet dera vetëm kur ke standard, kontroll, dokumentacion dhe produkt të sigurt. Aktualisht ne po punojmë në disa drejtime paralele:
1. Me përafrimin e plotë të legjislacionit me atë të BE-së me synim finalizimin e transpozimit ligjor deri në 2027 dhe konsolidimin e kontrollit zyrtar në nivel qendror e rajonal brenda 2026.
2. Si dhe digjitalizimin e kontrollit ushqimor i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm, standardizim të dhënash në kohë reale, që i shërben njëkohësisht konsumatorit dhe eksportuesit.
Në këtë linjë investimet në rrjetin laboratorik, modernizimi i laboratorëve rajonalë dhe forcimi i pikave të inspektimit kufitar të cilat janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit.
Synimi ynë i Bujqësisë 2030 është që eksportet bujqësore dhe të shkojnë në 1 miliard USD në 2030. Por për tu rritur Eksporti kërkohen dhe investime. Prandaj, përmes skemave kombëtare dhe së shpejti edhe nëpërmjet IPARD, ne do të mbështesim modernizimin e fermave dhe kapaciteteve të përpunimit.
Për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliard lekë mbështetje investimi, me grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe instrumente financiare përmes Fondit të Garancisë Sovrane për subjektet agropërpunuese, pra një paketë e integruar mbështetjeje.
Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë sistemin e standardeve dhe infrastrukturën… Ndërsa ju si sektor privat, duhet të investoni në cilësi, certifikim, organizim, sepse eksporti është maratonë, jo sprint. Dhe bashkë, duhet ta bëjmë Shqipërinë dhe produktin shqiptar një histori suksesi që lexohet në etiketë dhe provohet në treg Made in Albania," tha Salla.