KOSOVË- Bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke përmendur dhjetëra kërcënime të përsëritura dhe të drejtpërdrejta me jetë ndaj Vjosa Osmanit dhe anëtarëve të familjes së saj.
Sadriu përmes një postimi në "Facebook" shkruan se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme. Ai theksoi se këto kërcënime janë bërë nga profile anonime, por edhe nga individë publikë me emër e mbiemër.
Sadriu i cilëson këto si thirrje të hapura për dhunë, që nuk targetojnë vetëm individin, por vetë institucionin e Presidentes së Republikës. Ai thekson se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.
Në reagimin e tij, ai kritikon ashpër mungesën e reagimit institucional ndaj këtyre kërcënimeve. Sadriu e cilëson heshtjen e institucioneve si bashkëfajësi, duke paralajmëruar se kjo situatë paraqet rrezik serioz jo vetëm për sigurinë e Presidentes dhe familjes së saj, por edhe për vetë stabilitetin institucional.
"Dhjetëra kërcënime publike me jetë ndaj Presidentes së dhe familjes së saj. Jo një. Jo dy. Dhjetëra. Të përsëritura, të drejtpërdrejta, të qarta. Specifike. Nga profile me emra e mbiemra, anonime, por edhe nga zëra të njohur, me emër e mbiemër. Në rrjete sociale. Në komente. Në studio televizive. “Duhet eliminuar.” “Ka ardhur koha për fundin e saj.” “Një plumb e zgjidh.”
Këto nuk janë fjalë të rastësishme. Janë nxitje të hapura për dhunë. Janë thirrje që shënjestrojnë jo vetëm një individ, por vetë institucionin e Presidentes. Dhe përveç kërcënimeve? Shpifje të panumërta. Të fabrikuara me qëllim të qartë: Për të njollosur personalitetin. Për të legjitimuar urrejtjen.
Por mbi të gjitha, Për të krijuar klimën ku dhuna perceptohet si “e merituar”. Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi. Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet.
Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt. Sot është Presidentja.
Nesër dikush tjetër? Rreziku është i qartë. Heshtja është bashkëfajësi. Koha për veprim ka kaluar qëmoti," shkruan ai.