
TIRANË- Deputeti socialist Ardit Bido i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Jashtme greke si dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë për publikimin e shqiptarëve që janë shpallur non grata në Greqi. Me anë të një postimi në Facebook, Bido thekson se ka kërkuar bashkë me emrat dhe arsyet ligjore përkatëse për vendimin e marrë në lidhje me ndalimin e hyrjes.
Më tej, Bido shkruan se nëse publikimi i emrave nuk lejohet, të publikohet numri i përgjithshëm i rasteve, kategoritë e arsyeve ligjore dhe procedurën që ndiqet për vendosjen e kësaj mase.
Ndalimet në kufirin shqiptaro -grek nuk mbeten pa përgjigje! Sot, i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë dhe Ambasadës së Greqisë në Tiranë, për të kërkuar publikimin e listës së personave shqiptarë që janë të ndaluar të hyjnë në territorin grek dhe arsyet ligjore që kanë çuar në këtë vendim. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë, qartësi dhe trajtim të drejtë në çdo procedurë që lidhet me lëvizjen e tyre të lirë. Kjo çështje ka krijuar prej vitesh pasiguri dhe është koha që të sqarohet zyrtarisht.
Më poshtë, letra ime zyrtare:
Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë
Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë
Kërkesë për publikimin e listës së personave të ndaluar të hyjnë në territorin grek
I nderuar Ministër,
I nderuar Ambasador,
Me anë të kësaj letre ju drejtohem në mënyrë zyrtare për një çështje që ka rëndësi për qytetarët shqiptarë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Prej vitesh në opinionin publik shqiptar përflitet se ekziston një listë shtetasish shqiptarë ndaj të cilëve autoritetet greke kanë vendosur masën të ndalimit të hyrjes në territorin grek. Mungesa e informacionit zyrtar ka krijuar pasiguri dhe shqetësim, sidomos te qytetarët që udhëtojnë rregullisht për punë, vizita familjare apo arsye të tjera të ligjshme.
Për këtë arsye, ju kërkoj që të bëni të ditur: 1. Listën zyrtare të personave ndaj të cilëve është vendosur masa e ndalimit të hyrjes, së bashku me arsyet ligjore përkatëse; ose, nëse publikimi i emrave nuk lejohet. 2. Numrin e përgjithshëm të rasteve, kategoritë e arsyeve ligjore dhe procedurën që ndiqet për vendosjen e kësaj mase.
Transparenca mbi këtë çështje i shërben qytetarëve, forcon besimin midis institucioneve dhe ndihmon në shmangien e çdo keqkuptimi. Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë, mbetem në pritje të një përgjigjeje zyrtare.
Me respekt,
Ardit Bido
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
Qarku Vlorë