
ITALI- Policia italiane ka çmontuar ditën e sotme një organizatë shqiptare të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Fokusi i operacionit ishin dy shqiptarë, të cilët konsideroheshin si dy figura të spikatura kriminale. Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar 7 persona dhe janë vënë nën hetim 20 të tjerë.
Përmes këtij aktiviteti hetimor që zgjati më shumë se një vit, u bë e mundur të neutralizohej një trafik i gjerë droge i strukturuar përmes dy kanaleve të hyrjes së kokainës dhe heroinës në Rajonin e Abruzzos. Kokaina vinte nga Italia veriore dhe heroina nga Foggia. Policia gjeti dhjetra kilogramë drogë dhe shuma të ndryshme parash. Dy shqiptarët, përfaqësonin pikën e kontaktit të trafikantëve më të rëndësishëm të drogës.
Hetimi, fillimisht u fokusua pikërisht në një aktivitet tregtar të kryer nga një nga shqiptarët, por shpejt Karabinierët nxorën në dritë një trafik të rëndësishëm droge. Sipas medias italiane, dy shqiptarët kanë kryer aktivitete të pavarura nga njëri-tjetri, njëri kryesisht me trafikun e kokainës dhe tjetri me heroinë.
Gruaja e njërit prej të dyve, me origjinë nga Foggia, kishte kontakte të drejtpërdrejta me ata që më pas prokuronin kilogramë heroinë që me korrierë u largua nga San Severo dhe mbërritën në Abruzzo. Kontaktet e tyre të besuara përbëheshin nga korrierë të punësuar me qëllim transportin e sasi të mëdha droge, ku mes tyre dallohet një tjetër shqiptar, njeri i besuar i të dy bashkatdhetarëve të lartpërmendur.
Ai kishte për detyrë të dorëzonte porositë e kokainës ose heroinës që porositeshin herë pas here nga trafikantë të tjerë të rëndësishëm droge. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 30 kg heroinë dhe kokainë, si dhe 100 mijë euro.
“Aktiviteti i kryer gjatë hetimeve ka çuar në sekuestrimin e rreth 30 kg heroinë dhe kokainë, si dhe sekuestrimin e shumës së parave prej rreth 100 mijë eurosh. Edhe shtypja me kallëpe hekuri që përdoreshin për të bërë bukë droge. Mes tyre, komunikimet e trafikimit u zhvilluan përmes përdorimit të kriptofonëve, pra përmes enkriptimit të avancuar për të shmangur gjurmimin, përgjimin ose aksesin nga malëare.
Pavarësisht këtyre vështirësive të mëdha teknike, përmes përdorimit të teknologjive të avancuara të vëna në dispozicion të Prokurorisë Publike të Peskrës, ishte ende e mundur të depërtoheshin barriera e komunikimit të tyre, duke arrestuar në flagrancë gjatë fazës hetimore, 15 persona duke përfshirë korrierë dhe personazhe të lidhur me dy të dyshuarit kryesorë. Ndonjëherë edhe subjekte të padënuara dhe të padyshuara, të panjohur për hetuesit, përdoreshin për të fshehur sasi të mëdha droge në shtëpitë e tyre.”, informon media italiane.
Çmimi i drogës u përcaktua bazuar në përqindjen e përbërësit aktiv të shtuar në agjentët prerës. Autoritetet italiane po hetojnë më shumë mbi rastin.