TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zyrtarizon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet e 11 Majit. Në kërkesën e PD-së theksohet komisioni do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe të verifikojë përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale.
Në kërkesë evidentohet se procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025.
Sipas Grupit Parlamentar të PD në këto dokumente ndërkombëtare, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; dhe vi) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Shkresa e Grupit të PD:
KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. _____ Prot. Tiranë, më _____._____.2025
KËRKUES: Jo më pak se 35 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se 1/4 e deputetëve të Kuvendit).
OBJEKTI: Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
BAZA LIGJORE: Neni 77 i Kushtetutës së Shqipërisë;
Neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;
Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, i ndryshuar.
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Në datën 11 Maj 2025, u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, në të cilat mori pjesë edhe koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Këto zgjedhje konfirmuan edhe njëherë shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga opozita, shoqëria civile, media dhe organizatat ndërkombëtare për cënimin e rëndë të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga partia në pushtet, Partia Socialiste, nëpërmjet përdorimit të paligjshëm të burimeve shtetërore.
Ashtu, siç ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuar nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025.
Konkretisht, në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it thuhet se:
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Kandidatët raportuan se u përballën me intimidim. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjërë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë. Gjithashtu, pati shumë akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike. Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nuk parandaluan praktikat abuzive. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën e gazetarëve, kufizuan mundësitë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar.”.
Më tej, vijon raporti në elaborimin e gjetjeve paraprake:
“Dita e zgjedhjeve pati shpesh mosrespektim të procedurave dhe procesi u karakterizua nga një numër incidentesh intimidimi të zgjedhësve dhe ndikimi tek ta, si dhe mangësi gjatë numërimit të votave lidhur me procedurat dhe transparencën. Kandidatët nuk kishin mundësi garimi të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjërë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak orë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publke, raste intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjerë shqetësuese përfshijnë raportimet për shitblerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminal në disa parti politike.”.
Problematika të tjera, të cilat shoqëruan zgjedhjet parlamentare të 11 majit, sipas vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it ishin edhe:
“Disa llogari [në rrjetet sociale] të palëve të treta që raportohet se përdorën një sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës. Ndalimi nga qeveria i platformës TikTok që prej 6 marsit kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për fushatë. Klima mediatike vazhdoi të ishte tejet e kufizuar, ku pavarësia, shumëllojshmëria dhe integriteti i përmbajtjes së lajmeve u dëmtua nga financimi jotransparent, përqëndrimi i pronësisë së medias, ndërhyrjet në autonominë editoriale dhe ndikimet politike. Mungoi raportimi i pavarur, duke cënuar rolin mbikëqyrës të medias dhe mungesa e gazetarisë kritike dhe informacioneve solide bënë që shumica e organeve mediatike të perceptoheshin si mbështetëse të partisë në pushtet. KAS-i zbatoi një interpretim të ngushtë të rregullave lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore, duke bërë që praktika të tilla të kalonin shpesh pa u bërë objekt sanksionesh.”.
Në konkluzion të gjetjeve paraprake, vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it shprehen se:
“Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën pikëpyetje lidhur me efikasitetin e policisë në trajtimin e krimeve zgjedhore dhe efikasitetin e përpjekjeve kundër krimit të organizuar të lidhur me politikën. Dita e zgjedhjeve pati një numër vlerësimesh negative, kryesisht për shkak të mangësive proceduriale dhe një niveli presioni mbi votuesit. Parregullsitë serioze që u vërejtën përfshinin një numër të konsiderueshëm incidentesh të frikësimit dhe ndërhyrjes së vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive në proces, ndikim tek zgjedhësit dhe pretendime për shit-blerje votash. Përveç kësaj, fshehtësia e votës u kompromentua shpesh për shkak të mënyrës së organizimit të qendrave të votimit, mbipopullimit dhe ndërhyrjeve.”.
Nga sa më sipër, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; dhe vi) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Në datën 4 qershor 2025, u zhvillua mbledhja e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, gjatë të cilës eurodeputeti Michael Gahler, Kryetar i Misionit Vëzhgues të Parlamentit Evropian për Zgjedhjeve në Shqipëri, paraqiti raportin e misionit mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë fjalës së tij, eurodeputeti Gahler ngriti një alarm serioz në lidhje me strukturat kriminale në Shqipëri, të cilat kanë një interes të fshehtë në ruajtjen e pushtetit politik të pandryshuar, me qëllim vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave dhe trafikimit të drogës. Ai nënvizoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve kriminale jo vetëm shtrmbëron procesin zgjedhor, por gjithashtu përbën një pengesë themelore për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj infiltrimit të rrjeteve kriminale dhe ndikimit shkatërrues në demokracinë e vendit.
Në sesionin e korrikut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) nxiti autoritetet shqiptare që të dëshmojnë vullnet politik për të adresuar problematikat serioze të vërejtura gjatë zgjedhjeve të 11 majit dhe të sigurojë përputhshmëri të plotë me standardet evropiane, duke i dhënë përparësi zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it. Mbi të gjitha, Asambleja ngriti shqetësimin e partisë-shtet dhe bëri thirrje për një ndarje të qartë dhe përfundimtare midis partisë në pushtet dhe shtetit, duke theksuar se ky parim është thelbësore për rivendosjen e besimit të publikut në institucionet demokratike. Asambleja, në rezolutën e saj, nënvizoi nevojën për ndërmarrjen e masave për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve, duke luftuar shitblerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve administrative, presionin mbi punonjësit publikë dhe privatë, si dhe ndikimin e grupeve kriminale.
Përballë shkeljeve masive të legjislacionit të brendshëm dhe parimeve ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve, institucionet kryesore shtetërore si KQZ, Policia e Shtetit, Prokuroria e Posaçme, ashtu si edhe prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm, përfshirë edhe gjykatat vepruan në bashkëpunim për të mbrojtur dhe mbështetur në mënyrë të pajustifikueshme partinë në pushtet. Vëzhguesit ndërkombëtarë, në vlerësimin e tyre të përbashkët, arritën në përfundimin se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në shkelje jo vetëm të Kodit Zgjedhor, por edhe të parimeve themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç përcaktohen në:
⦁ Dokumenti i Kopenhagenit (1990) – paragrafët 5.1, 5.10, 7.8 dhe 7.9, veçanërisht paragrafi 5.4 mbi ndarjen e shtetit dhe partive politike;
⦁ Udhëzimet e ODIHR-it – Komisioni i Venecias 2020 mbi Rregullimin e Partive Politike – veçanërisht paragrafët 247, 248, 262;
⦁ Udhëzimet mbi Ligjbërjen Demokratike të ODIHR-it 2023 dhe gjithashtu Udhëzimet mbi Rregullimin e Partive Politike (paragrafi 25);
⦁ Deklarata Interpretuese e Rishikuar e Komisionit të Venecias 2024 mbi Stabilitetin e Ligjit Zgjedhor, Seksioni II.B.3;
⦁ Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore i Komisionit të Venecias, seksioni II.3.3.f;
⦁ Udhëzimet e Përbashkëta të vitit 2016 nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias mbi parandalimin e keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore, neni 13;
⦁ Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) – traktati themelor i të drejtave të njeriut (i referuar zakonisht në kontekstet demokratike të sundimit të ligjit);
⦁ Konventa Kornizë e vitit 1995 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare – mbi të drejtat e pakicave në kontekste demokratike.
Me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor. Konkretisht:
⦁ Keqpërdorimi i eventeve publike: Në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit zgjedhor, institucionet shtetërore organizuan mbi 4500 evente publike, kombëtare dhe ndërkombëtare, gjatë periudhës parazgjedhore dhe zgjedhore. Kjo përfshinte organizimin e Giro d’Italia ditën e zgjedhjeve, me qëllimin e qartë për të ndikuar tek votuesit dhe për të shtrembëruar rezultatin zgjedhor;
⦁ Kapja e institucioneve shtetërore: Institucionet publike u shndërruan në mekanizma elektorale, ndërsa nëpunësve civilë iu caktuan detyra partiake, duke fshirë në mënyrën efektive vijën ndarëse mes partisë në pushtet dhe shtetit;
⦁ Riaktivizimi i sistemit të patronazhimit: Modeli i “patronazhimit” i epokës komuniste – faktikisht një polici politike – u riaktivizua. Mijëra nëpunës civilë, oficerë policie, personal ushtarak, prokurorë dhe gjyqtarë – të gjithë të paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë – u ngarkuan secili me detyrën e sigurimit të një minimumi prej 20 votash, si brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora. Për ta lehtësuar këtë, patronazhistëve iu dha në mënyrë të paligjshme akses në të dhënat personale të qytetarëve të ruajtura në portalin qeveritar e-albania, të administruar nga Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI);
⦁ Blerja e drejtpërdrejtë e votave: Në mes të fushatës zgjedhore, Kryeminsitri shpërndau një pagesë të vetme prej 100 euro si dhuratë për rreth 760 mijë pensionistë, që përfaqësojnë 48% (pothuajse gjysmën) të elektoratit – duke përbërë një shkëmbim të drejtpërdrejtë parash për vota (bonuese për vota);
⦁ Manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët: Qeveria shpërndau 300 milionë euro në grante dhe garanci sovrane për fermerët – nëntë herë më shumë se 34 milionë eurot e ndara vitin e kaluar. 70,000 fermerë aplikuan për grante (grante për vota). Kjo rritje masive parazgjedhore funksionoi si një skemë e qartë e blerjes së votave;
⦁ Anullimi masiv i gjobave: Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, qeveria fshiu rreth 200 milionë euro gjoba dhe penalitete të akumuluara (2014 – 2024), një masë e hartuar për të ndikuar te votuesit;
⦁ Miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin: Dy muaj para zgjedhjeve, Qeveria zgjeroi zonat e kultivimit të lëndës narkotike (kanabis) në 29.496 hektare – 147 herë më shumë se kufiri ligjor – në 138 zona kadastrale në 35 njësi administrative, duke përfituar dhjetëra mijëra pronarë tokash, duke e shndërruar licencimin e kanabisit në një skemë të blerjes së votave të sponsorizuar nga shteti, duke përfshirë interesat e narkoekonomisë në procesin zgjedhor “kanabis për vota”;
⦁ Prokurime të paligjshme: Në shkelje të moratoriumit ligjor parazgjedhor, mbi 500 milionë euro u shpenzuan përmes prokurimeve të paligjshme, koncesioneve dhe partneriteteve publiko-private (prokurime për vota). Në total më shumë se 1 miliard euro u shpenzuan nga Buxheti i Shtetit me qëllim blerjen e votave ose ndikimin e votuesve;
⦁ Abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit: Qeveria lëshoi 15 mijë leje legalizimi dhe certifikata pronësie, së bashku me miliona metra katrorë leje ndërtimi, duke ndikuar drejtpërdrejtë dhjetëra mijëra votues, sipas parimit kriminal “leje ndërtimi për vota”;
⦁ Punësime të paligjshme: Afërsisht 10 mijë individë u punësuan në mënyrë të paligjshme në administratën vendore ose qëndrore, si dhe në ndërmarrje publike, duke e shndërruar punësimin në administratë si formë të blerjes dhe manipulimit të vullnetit të qytetarëve.
Krahas përdorimit masiv të burimeve shtetërore për fushatë elektorale, zgjedhjet parlamentare të 11 majit u karakterizuan edhe nga përfshirja e grupeve kriminale në fushatë. Këto të fundit u mobilizuan ngsa partia në pushtet me qëllim që të siguronin burime të shumta financimi, kontrollin e territorit dhe intimidimin e zgjedhësve, në shkëmbim të pandëshkueshmërisë dhe tenderave, lejeve, licencave dhe koncesioneve fitimprurëse nga qeveria.
Raste konkrete të këtyre grupeve kriminale ishin ato të: i) Troplinëve në Durrës; ii) Avdylëve dhe Hajrave në Shijak dhe Has; iii) Çelajve dhe Çopjave në Elbasan; iv) “Hakmarrja për Drejtësi” në Fier, Tiranë dhe Vlorë; v) Arben Qimja dhe Renato Salihi në Fier; vi) Bajrat, Mehmetajt dhe Gjokajt në Shkodër; vii) Ndokajt dhe Tuku në Lezhë etj.
Këto grupe kriminale, me aktivitet të fokusuar kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike, vrasjeve dhe pastrimit të parave, koordinoheshin nga Ergys Agasi, i cili është një lidhje e afërt e kryeministrit Edi Rama. Grupet kriminale mbështetën të paktën 28 kandidatë të Partisë Socialiste (tashmë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë), në 10 qarqe dhe 20 bashki. Në shkëmbim të mbështetjes së tyre, hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kanë provuar se këto grupe kriminale kanë përfituar leje ndërtimi për miliona metra katrorë kulla, hotele, fshatra turistike dhe resorte në Durrës, Tiranë, Vlorë, Himarë, Shëngjin, Velipojë etj., duke konsoliduar kështu plotësisht kontratën e partisë në pushtet me krimin e organizuar.
Manipulimi i votës së Diasporës: Zgjedhjet parlamentare të 11 majit shënjuan për herë të parë në 35 vite mundësinë e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe përcaktimin e qeverisë së ardhshme. Megjithatë, në vend që kjo të përfaqësonte një moment historik, procesi u njollos nga manipulime masive, fabrikime, blerje votash dhe frikësime, të sajuara për të garantuar fitoren e partisë në pushtet, Partisë Socialiste.
Gati 340 mijë qytetarë shqiptarë krijuan dhe regjistruan profilet e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Nga këta, më shumë 48 mijë qytetarëve iu refuzua miratimi pa shpjegime. Midis atyre që u miratuan 19 mijë nuk morën kurrë fletën e votimit, ndërsa 28 mijë fletëvotimi mbeten të panumëruara. Në total, afërsisht 100 mijë emigrantëve, gati një të tretës, iu mohua në mënyrë të paligjshme e drejta për të votuar. Kjo përbënte filtrim politik në një shkallë industriale: votuesit që supozohej se mbështesnin partinë në pushtet u pranuan, ndërsa mbështetësit e opozitës u përjashtuan sistematikisht.
Rregullat procedurale dhe detyrimet kontraktuale në lidhje me mekanizmat e shpërndarjes dhe kthimit të fletëve të votimit u vunë tërësisht nën kontrollin e qeverisë. Në shkelje të kontratës zyrtare që operatori postar DHL kishte me KQZ-në, nënkontraktorë të paligjshëm, përfshirë Postën Shqiptare (nën varësi të pushtetit ekzekutiv), u përfshinë në dorëzimin dhe kthimin mbrapsht të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme. Verifikimet zbuluan parregullsi të mëdha: në shumë raste fletëve të votimit u mungonin nënshkrimet e marrëve; zarfat nuk iu dorëzuan drejtpërdrejt votuesve, por u lanë në rrugë, dyer, kuti postare, qendra bastesh etj. Misionet diplomatike të Shqipërisë u angazhuan në mënyrë aktive në rrjetin e patronazhimit të Partisë Socialiste për të shpërndarë zarfa zgjedhor dhe për të kontrolluar votën e Diasporës.
Pati shumë raportime për blerje të votave, me fletë votimi të Diasporës në Itali dhe Greqi që shiteshin për shuma nga 100 deri në 500 euro. Shumë emigrantë morën gjithashtu telefonata apo mesazhe kërcënuese nga “patronazhistët” që shfrytëzonin të dhënat e tyre personale. Investitorët që jetonin jashtë vendit u shpërblyen me leje ndërtimi dhe kontrata publike në shkëmbim të mbështetjes së tyre për Partinë Socialiste. Manipulimi ishte i dukshëm në rezultatet e stilit stalinist në kutitë e votimit të Diasporës në Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, ku Partia Socialiste kishte rezultate ndërmjet 93 – 97% të votave. Vota e Diasporës nuk ishte as e fshehtë, as e lirë, as e barabartë, por një operacion i kontrolluar nga qeveria me qëllim manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Kontrolli i Medias: Më shumë se 90% e mediave, duke përfshirë raportimin e lajmeve dhe përmbajtjen editoriale, kontrollohen ose ndikohen në mënyrë efektive nga Partia Socialiste, duke shtrembëruar rëndë perceptimin publik dhe duke shtypur gazetarinë e pavarur. Vëzhguesit ndërkombëtarë vunë re se "shumica dërrmuese e mediave perceptohen të jenë të lidhura me PS-në në pushtet". Raporti i tyre theksoi më tej se "stacioni i vetëm televiziv midis dhjetë, i perceptuar të jetë i lidhur me Partinë Demokratike, Syri TV, në vitin 2023 përbënte vetëm 1.7% të të ardhurave totale të tregut televiziv, ndërsa katër pronarët më të mëdhenj të transmetimeve kontrollonin 72% të të ardhurave dhe 87% të pjesës së audiencës".
Vëzhguesit arritën në përfundimin se një përqendrim i tillë i pronësisë së medias, i kombinuar me vetëcensurë të përhapur midis gazetarëve, dëmtoi ndjeshëm pluralizmin e medias dhe kufizoi aksesin e votuesve në informacion të larmishëm. Për më tepër, vendimi i qeverisë për të ndaluar TikTok që nga 6 marsi 2025 kufizoi mundësitë e fushatës për partitë opozitare dhe u konsiderua i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare demokratike.
Dita e Zgjedhjeve: Edhe pse zyrtarisht u paraqitën si një ditë relativisht normale, zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 11 maj 2025 u shënuan nga parregullsi serioze. Dëshmitë e komisionerëve të opozitës, raportet e vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtar, denoncimet e qytetarëve dhe shqyrtimet pasuese të pamjeve filmike të qendrave të votimit dhe materialeve zgjedhore - si dhe rinumërimet e fletëvotimeve në disa zona - treguan se procesi i votimit ishte shtrembëruar sistematikisht. Në vend që të pasqyronin vullnetin e lirë të elektoratit, zgjedhjet u bënë një farsë në të cilën partia në pushtet dhe qeveria kontrollonin dhe devijonin vullnetin e popullit.
Një dimension veçanërisht alarmues i zgjedhjeve të 11 majit ishte përfshirja e drejtpërdrejtë e grupeve të krimit të organizuar në rajone të tilla si Elbasani, Durrësi, Fieri, Tirana, Vora, Lezha, Shkodra etj. Këto rrjete ishin të angazhuara në mënyrë aktive në blerjen e votave, frikësimin e votuesve dhe manipulimin e hapur si jashtë ashtu edhe brenda qendrave të votimit. Vëzhguesit ndërkombëtarë nga ODIHR raportuan "një numër të konsiderueshëm akuzash të besueshme për presion mbi votuesit, përfshirë punonjësit e sektorit publik" - një shkelje e qartë e angazhimeve ndërkombëtare për të garantuar të drejtën e votës së lirë. Mediat dokumentuan gjithashtu raste në të cilat grupet e krimit të organizuar ndikuan drejtpërdrejt në sjelljen e votuesve, duke përfshirë raportet se aktorët kriminalë ishin të dobishëm në orientimin e votës në Durrës.
Pavarësisht raporteve të shumta dhe denoncimeve publike, institucionet kryesore - përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Policinë e Shtetit, Zyrën e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat - nuk ndërhynë. Mosveprimi i tyre në mënyrë efektive lejoi rrjetet kriminale të vepronin pa u ndëshkuar gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Rrjeti i "Patronazhistëve" në Ditën e Zgjedhjeve: Më 11 maj, rrjeti i gjerë i patronazhistëve të Partisë Socialiste funksionoi si një forcë policore politike de facto, duke ushtruar kontroll mbi votuesit në të gjithë vendin. Anëtarët e këtij rrjeti ishin të vendosur si brenda ashtu edhe jashtë qendrave të votimit, ku monitoronin mbërritjen e votuesve, u afroheshin qytetarëve para se të hidhnin votat e tyre dhe koordinoheshin në kohë reale me komisionerët dhe vëzhguesit e Partisë Socialiste brenda qendrave të votimit. Raportet tregojnë se ata ushtronin presion të drejtpërdrejtë mbi votuesit në dhoma e fshehta të votimit nën maskën e "ndihmës" së tyre, ndërsa njëkohësisht transmetonin të dhëna për pjesëmarrjen përmes aplikacioneve mobile dhe platformave të mesazheve.
Zyrat zgjedhore të paligjshme të Partisë Socialiste: Në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas dokumentuan ekzistencën e zyrave zgjedhore të paautorizuara të Partisë Socialiste që vepronin në afërsi të qendrave të votimit. Këto vende klandestine ishin të pajisura me lista votuesish, fletë votimi, karta identiteti dhe shuma të mëdha parash - si në lekë ashtu edhe në euro. Ato menaxhoheshin nga zyrtarë të qeverisjes vendore dhe qendrore, pjesë e sistemit të patronazhimit të Partisë Socialiste, të cilët angazhoheshin drejtpërdrejt me votuesit, stafin e qendrave të votimit dhe vëzhguesit për të ndikuar dhe kontrolluar votën.
Blerja e Votave dhe Manipulimi Zgjedhor: Një nga format më të përhapura dhe të dukshme të manipulimit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 ishte blerja e votave. Në shumë rrethe - duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Lushnjën dhe Shkodrën - qytetarët dhe vëzhguesit dokumentuan skema të përhapura në të cilat votuesve iu afruan grupe kriminale dhe agjentë të patronazhimit të Partisë Socialiste (PS) dhe u ofruan pagesa në para që varionin nga 100 deri në 500 euro në këmbim të votës së tyre.
Konfiskimi i Kartave të Identitetit - Blerja e të Drejtës së Votës: Një praktikë veçanërisht e zakonshme ishte mbledhja sistematike e kartave të identitetit nga votuesit që perceptoheshin si mbështetës të opozitës. Këto dokumente u sekuestruan nëpërmjet pagesave në para të gatshme, premtimeve për favore ose kërcënimeve të drejtpërdrejta, duke i privuar në mënyrë efektive qytetarët nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Karta të shumta identiteti u zbuluan në zyrat e paligjshme zgjedhore të Partisë Socialiste, ndërsa të tjera u hodhën në rrugë publike. Raportet tregojnë se kjo praktikë është kryer kryesisht nga patronazhistë të PS-së, punonjës të administratës publike dhe anëtarë të grupeve të organizuara kriminale.
Keqpërdorimi i të Dhënave Personale: Partia në pushtet dhe rrjetet e saj të patronazhimit shfrytëzuan në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të ndjeshme të qytetarëve të ruajtura në portalin shtetëror e-Albania, si dhe informacionin e aksesuar nëpërmjet sistemeve të identifikimit biometrik (PEI). Këto të dhëna u përdorën për të gjurmuar votuesit në kohë reale dhe për t'i nënshtruar ata ndaj presionit, frikësimit dhe premtimeve shtrënguese për të siguruar votën e tyre për PS-në.
Përdorimi i gjerë i badge të falsifikuara të stafit dhe vëzhguesve: Në ditën e zgjedhjeve, u dokumentuan raste të shumta në të cilat grupet kriminale dhe aktivistët e patronazhimit të lidhur me PS-në përdorën badge të falsifikuara të vëzhguesve për të fituar akses në qendrat e votimit dhe zonat përreth. Pasi hynë brenda, ata monitoruan mbërritjet e votuesve, përgjuan qytetarët, ushtruan presion përreth dhe madje edhe brenda dhomës së fshehtë të votimit, dhe transmetuan të dhëna për pjesëmarrjen nëpërmjet aplikacioneve mobile dhe platformave të mesazheve.
Shkelja e Fshehtësisë së Votës: Provat video nga qendrat e votimit konfirmuan se fshehtësia e votimit u shkel sistematikisht. Votimi familjar ishte i përhapur, ndërsa komisionerët e PS-së dhe patronazhistët u panë duke shoqëruar votuesit në dhomat e fshehta të votimit dhe, në disa raste, duke shënuar fletët e votimit në emër të tyre. Votuesit shpesh u detyruan të jepnin prova të votës së tyre - siç ishte fotografimi i fletëve të tyre të votimit ose shfaqja e gishtërinjve të lyer me bojë - për të verifikuar përputhshmërinë. Për më tepër, raportet tregojnë se stilolapsa me bojë që zhdukej u shpërndanë në zona të caktuara për të manipuluar numërimin e votave. Si ODIHR ashtu edhe OJQ-ja shqiptare KRIIK vunë re se sekreti i votimit "shpesh kompromentohej".
Manipulimi i Fshehtë i Fletëve të Votimit ("Treni Bullgar"): Një nga metodat më të gjëra të mashtrimit ishte skema e ashtuquajtur "Treni Bullgar" (votimi karusel). Votuesve u jepeshin fletëvotime të shënuara paraprakisht për të hedhur në kutitë e votimit, ndërsa detyroheshin të kthenin fletët e tyre të zbrazëta të votimit për ripërdorim. Rastet e dokumentuara, të mbështetura nga fotografi dhe prova video në Elbasan, Fier, Tiranë dhe rrethe të tjera, zbuluan një model sistematik të mbushjes dhe riciklimit të fletëve të votimit.
Zhdukja e 350 Kutive të Votimit dhe Shfaqja e Fletëvotimeve të Dyshimta: Më 14 prill 2025, punonjësit e magazinës shtetërore përgjegjëse për ruajtjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore raportuan se 350 kuti votimi u hoqën nga objekti pa asnjë dokumentacion ose autorizim zyrtar - një incident i paprecedentë në historinë zgjedhore të Shqipërisë. Dëshmitarët konfirmuan se kutitë u ngarkuan në një kamion dhe u transportuan në një ndërtesë në pronësi të ish-deputetit të Partisë Socialiste Pilo Keri, ku më pas u ruajtën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk kishte lëshuar asnjë autorizim zyrtar për lëshimin e këtyre materialeve, iu përgjigj pyetjeve të opozitës duke pretenduar se kutitë e votimit ishin dorëzuar në shkollat e mesme për qëllime trajnimi përpara zgjedhjeve të 11 majit. Megjithatë, hetimi pasues nuk zbuloi prova se ndonjë shkollë i kishte marrë ose përdorur kutitë.
Shqyrtimi i mëtejshëm i materialeve zgjedhore në Elbasan, Tiranë, Durres dhe rrethe të tjera zbuloi një numër të konsiderueshëm kutish votimi pa të dhëna zyrtare, si dhe kuti që përmbanin protokolle që nuk kishin nënshkrimet e komisionerëve të Partisë Demokratike - ose në disa raste mbanin vetëm nënshkrimet e komisionerëve të Partisë Socialiste.
Këto gjetje tregojnë për një skemë të qëllimshme të manipulimit të fletëvotimeve, të lehtësuar nga institucionet shtetërore dhe aktorët politikë, e cila minoi integritetin e procesit zgjedhor dhe hodhi dyshime serioze mbi besueshmërinë e rezultateve zyrtare.
Manipulimi i Votës së Diasporës dhe Parregullsitë e Ditës së Zgjedhjeve: Gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, procesi i votimit në diasporë u kompromentua rëndë. Hetimet zbuluan një sërë kutish votimi nga jashtë vendit që regjistruan rezultate të pabesueshme uniforme prej 91–95% në favor të Partisë Socialiste (PS). Në raste të shumta, numri i fletëvotimeve të gjetura brenda këtyre kutive ishte ose më i vogël ose më i madh se numri i votuesve të regjistruar, duke ngritur dyshime të forta se kutitë origjinale të votimit ishin zëvendësuar në mënyrë të paligjshme.
Mosfunksionimi i Sistemeve të Identifikimit Biometrik (PEI): Dështimet teknike në lexuesit elektronikë të gjurmëve të gishtërinjve ishin të përhapura, veçanërisht në bastionet e opozitës. Këto mosfunksionime shkaktuan vonesa të konsiderueshme dhe, në disa raste, pamundësinë për të votuar. Misioni i OSBE/ODIHR raportoi se në gati një të katërtën e qendrave të votimit të vizituara, pajisjet biometrike nuk arritën t'i njihnin votuesit, duke minuar seriozisht besimin në integritetin e procesit.
Bashkëpunimi Institucional dhe Rrëzimi e Ankesave: Pavarësisht provave dhe denoncimeve të shumta publike të shkeljeve zgjedhore, institucionet, përfshirë Komisionet Vendore Zgjedhore (KZAZ), Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Policinë e Shtetit, SPAK dhe Kolegjin Zgjedhor, dështuan të ndërmarrin veprime domethënëse. Me përjashtim të vetëm të një rasti në Peqin - ku një oficer policie, duke iu përgjigjur një ankese të opozitës, zbuloi një zyrë klandestine të Partisë Socialiste dhe sekuestroi materiale zgjedhore të paligjshme (për të cilat më pas u shkarkua thjesht dhe vetëm për zbatimin e ligjit) - të gjitha institucionet përkatëse mbetën të lidhura me interesat e partisë në pushtet dhe mbrojtëse të tyre.
Në konkluzion, shkalla e manipulimit të kutive të votimit, dështimet e sistemit të identifikimit biometrik, konfiskimi i dokumenteve të identitetit dhe bashkëpunimi aktiv midis organeve shtetërore, rrjeteve të patronazhimit të partisë në pushtet dhe organizatave kriminale demonstrojnë një përmbysje të qëllimshme të procesit demokratik. Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u zhvilluan në kushte të frikësimit politik, bashkëveprimit institucional dhe kapjes së shtetit, duke arritur në një farsë të qartë zgjedhore dhe një shkelje flagrante të detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare të Shqipërisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Neni 1, pika 3, e Kushtetës së Shqipërisë sanksionon se: “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike.”. Faktet dhe rrethanat e parashtruara më lart dëshmojnë në fakt se zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk ishte as të lira dhe as të barabarta, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin e organeve të dala nga këto zgjedhje, përfshirë Kuvendin dhe Këshillin e Ministrave. Veçanërisht sa i përket parimit të barazisë, sjellim në vëmendje se vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it konkluduan se gara nuk ishte e barabartë, pasi përdorimi i burimeve shtetërore (financiare, logjistike, njerëzore) nga partia në pushtet, Partia Socialiste, krijoi një favor të dukshëm për të dhe kandidatët e saj.
Në këto kushte, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore, nxjerrjen e përgjiegjësive institucionale dhe vlerësimin e nevojës për ndërmarrjen e masave ligjore, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative në të ardhmen, deputetët nënshkrues kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë së Veprimtarisë të Pushtetit Qëndror dhe Pushtetit Vendor, si dhe për të Verififkuar Përdorimin e Burimeve të Administratës Shtetërore për Qëllime Elektorale në Zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Gjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “...institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushteti i pakicës parlamentare”, që realizohet “...në mënyrë të pavarur...” dhe që është “....i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila duke i pasur të kufizuara mjetet në dispozicion, mund ta shndërrojë atë në një instrumet të fuqishëm kushtetues.
Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik dhe shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.
Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për çështje të veçanta, me qëllim arritjen e përfundimeve të caktuara, që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit e të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit.
Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledhë informacione të hollësishme mbi zbatimin e ligjit nga organet e pushtetit qëndror dhe vendor, si dhe përdorimin e burimeve shtetërore gjatë periudhës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, si dhe vlerësimin e nevojës për miratim, korrigjim, ndryshim të legjislacionit, me qëllim që në të ardhmen të parandalohen pasojat negative që cënojnë rëndë integritetin dhe ligjshmërinë e proceseve zgjedhore, duke ngritur kështu pikëpyetje mbi legjitimitetin e organeve të dala nga zgjedhjet qofshin ato parlamentare apo lokale. Po ashtu, në këtë mënyrë mbrohen dhe garantohen edhe standardet demokratike, të cilat janë parakusht për integrimin evropian të vendit tonë.
Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk sjell mbivendosje apo transferime të kompetencave të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në hollësi të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve që kanë sjellë një dëm shumë të rëndë në vlerat themelore të organizimit shtetëror – demokracia përfaqësuese dhe pluralizmi politik – me qëllim që të kontrollohet zbatimi i ligjit, të nxirren përgjegjësitë institucionale, si dhe të merren masat e përshtatshme në drejtim të mbrojtjes së standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Një pasojë tjetër, lidhet edhe me shpërdorimin e Buxhetit të Shtetit në funksion të partisë në pushtetit, e cila cënon drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve, që presin që taksat, tatimet dhe detyrimet e tyre të përkthehen në shërbime publike dhe mirëqënie për ta e familjet e tyre, në vend të shndërrimit në “valvulë” sigurie për partinë në pushtet.
E drejta e Komisionit për kryerjen e hetimeve do të realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që mbulojnë deputetët, si përfaqësues të popullit dhe zëdhënës të interesit publik, për zbardhjen e plotë të kësaj cështjeje.
Dobishmëria e këtij hetimi konsiston pikërisht në nxjerrjen e përgjegjësisë institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës. Komisioni do të ushtrojë veprimtarinë e tij në përputhje me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, procesit të rregullt ligjor, prezumimit të pafajësisë, paanshmërisë dhe respektimit të jetës private.
Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e cështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të vecantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen. Në këtë drejtim, cështjet më të shumta kanë patur për objekt administrimin e fondeve publike, marrëdhëniet ndërshtetërore, falimentimet e korporatave apo subjekteve të ndryshme private, të cilët kanë patur një impakt në ekonominë e vendit, apo hetimin e fenomeve kriminale.
Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale për personat që potencialisht mund të kenë kryer shkelje, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqendrojë punën e tij në në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë të veprimeve a mosveprimeve të kryera nga organet e pushtetit qëndror dhe vendor, si dhe pasojat e këtyre veprimeve.
Nga ana tjetër, mbledhja e informacioneve të detajuara dhe analizimi i tyre me përgjegjshmëri, synon që në përputhje me realitetin e diktuar nga rrethanat, provat dhe të dhënat në dispozicion, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit apo korrigjimit të kuadrit ligjor ekzistues, me qëllim ofrimin e një mbrojtjeje gjithëpërfshirëse ligjore dhe institucionale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke bërë çdo përpjekje për garantimin e integritetit të duhur të proceseve zgjedhore në Shqipëri, dhe rrjedhimisht edhe besimin publik te procesi zgjedhor dhe institucionet e dala prej tij. Po ashtu, pjesë e këtij qëllimi është edhe garantimi i parimeve themelore të Republikës tonë, siç është liria dhe barazia e votës.
Objekti i hetimit është i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, si dhe përmban fakte të përcaktuara, të cilat tregojnë qartazi se për çfarë do të hetohet, duke evidentuar edhe çështjen që kërkohet të hetohet. Nga faktet e disponuara nga ana jonë, por të konfirmuara edhe nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtare, rezulton se ekziston një lidhje thelbësore ndërmjet kontrollit apo hetimit që kërkohet të realizohet dhe një shkalle të arsyeshme të qëllimit legjitim të pushtetit legjislativ, për mbrojtjen e parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.
Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tri kriteret kushtetuese si vijon:
⦁ çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat ai është i autorizuar të marrë masa ligjore;
⦁ objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete; dhe
⦁ ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencën e problematikave dhe dyshimeve të arsyeshme lidhur me ligjshmërinë e veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Kërkesa për ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë së Veprimtarisë të Organeve të Pushtetit Qëndror dhe Pushtetit Vendor, si dhe për të Verifikuar Përdorimin e Burimeve të Administratës Shtetërore për Qëllime Elektorale në Zgjedhjet e 11 Majit 2025, bazohet në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës, i cili parashikon se: “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të vecantë.”, si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon se “1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një së katërtës së të gjithë anëtarëvë të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një cështje të vecantë. 2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.”
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, ne, një grup deputetësh, jo më pak se ¼ e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 77, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 25, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit,
1. Ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për Kontrollin e Ligjshmërisë të Veprimtarisë së Organeve të Pushtetit Qëndror dhe Pushtetit Vendor, si dhe për të Verifikuar Përdorimin e Burimeve të Administratës Shtetërore për Qëllime Elektorale në Zgjedhjet e 11 Majit 2025.
2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
3. Komisioni do të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
4. Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.
5. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.
Bashkëlidhur do të gjeni projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor.
PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT, PËR KONTROLLIN E LIGJSHMËRISË TË VEPRIMTARISË SË ORGANEVE TË PUSHTETIT QËNDROR DHE PUSHTETIT VENDOR, SI DHE PËR TË VERIFIKUAR PËRDORIMIN E BURIMEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE NË ZGJEDHJET E 11 MAJIT 2025
Në mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", me propozim të 35 deputetëve (jo më pak se ¼ e anëtarëve të Kuvendit),
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
I. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së jo më pak 1/4 së deputetëve, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025. Ky hetim parlamentar do të synojë nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e lirisë së votës, rritjen e besimit të publikut dhe mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit.
II. Objekt i punës së Komisionit Hetimor është:
(i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025;
(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
III. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve ligjzbatuese.
IV. Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime të kuadrit ligjor që ofron mbrojtje dhe garanci për integritetin e procesit zgjedhor, dhe sipas rastit njoftimin e prokurorisë për fillimin e çështjes penale.
V. Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 11 anëtarë, si më poshtë:
1. - Kryetar (PD);
2. - Zëvendëskryetar (PS);
3. - Anëtar (PD);
4. - Anëtar (PD);
5. - Anëtar (PD);
6. - Anëtar (PD);
7. - Anëtar (PS);
8. - Anëtar (PS);
9. - Anëtar (PS);
10. - Anëtar (PS);
11. - Anëtar (PS);
VI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 6 - mujor nga miratimi i këtij vendimi.
VII. Ngarkohen Kryetari i Kuvendit që menjëherë të caktojë mjediset dhe mjetet e punës së komisionit, si dhe personelin e nevojshëm, duke venë në dispozicion edhe ekspertë juristë.
VIII. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të marrë masa për zbatimin e vendimit të Kuvendit dhe të urdhrave të Kryetarit të Kuvendit, për mbarëvajtjen e punës së komisionit, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të tij.
IX. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARI
NIKO PELESHI
Miratuar më ____/____/2025.