
TIRANA- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në përfundim të mandatit të saj si gjyqtare dhe drejtuesja e institucionit, publikoi sot një njoftim me reflektime mbi punën dhe arritjet gjatë periudhës 2023–2025. Zaçaj theksoi se mandati i saj ka përmbushur pritshmëritë dhe i ka mundësuar realizimin e vizionit për modernizimin dhe forcimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas saj nnjë nga sfidat kryesore të vitit 2025 ishte çështja e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues, një element i ndërlidhur drejtpërdrejt me pavarësinë e institucionit. Zaçaj u shpreh se kontributi i dhënë në këtë proces shkon përtej interesave personale, pavarësisht interpretimeve të ndryshme.
Sakaq Asim Vokshi bën sot betimin si gjyqtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar Zaçajn. Ceremonia do të zhvillohet në orën 10:00 në Presidencë.
Vokshi u shpall fitues nga Gjykata e Lartë për vendin vakant, por vendimi u kundërshtua nga kandidatja Naureda Llagami, e cila pretendoi se një votë e pavlefshme duhej t’i njihej asaj. Pas rrëzimit të kërkesës së Llagamit nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti Bajram Begaj caktoi datën e betimit.
Në përfundim të mandatit tim si gjyqtare dhe njëkohësisht edhe si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dëshiroj të ndaj me publikun disa reflektime mbi punën dhe arritjet e kësaj Gjykate përgjatë tre viteve në të cilat pata privilegjin, përgjegjësinë dhe kënaqësinë të ushtroj këtë funksion kushtetues. Kjo periudhë jo vetëm përputhet me pritshmëritë e mia për këtë mandat, por më lejoi edhe që të realizoj vizionin tim për administrimin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.
Viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin: çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm.
Përgjatë periudhës 2023–2025 Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës. Trupa e gjyqtarëve ka punuar me përkushtim, duke përballuar një numër rekord çështjesh, të cilat në tre vitet e fundit janë shtuar me 35-40%, duke arritur edhe deri në rreth 400 çështje të shqyrtuara në vit, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, 85-90 çështje, janë mbyllur me vendime përfundimtare. Gjykata ka vazhduar të shqyrtojë çështjet e kaluara në seancë plenare brenda një periudhe 8-mujore dhe çështjet e tjera brenda afatit ligjor 3-mujor, duke vazhduar të mos ketë çështje të prapambetura.
Me kënaqësi vërej se këto tre vite intensive kanë kontribuar në ridimensionimin e rolit dhe profilit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
I. Arritjet ndërkombëtare
Kjo periudhë ka shënuar disa zhvillime të rëndësishme në planin ndërkombëtar, si:
Marrja e kryesimit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) gjatë Kongresit të 19-të të saj në muajin maj të vitit 2024, ku 35 gjykata anëtare votuan për herë të parë Shqipërinë si kryesuese për periudhën 2024–2027.
Organizimi në Tiranë i Mbledhjes së Rrethit të Kryetarëve me pjesëmarrjen e 34 gjykatave kushtetuese evropiane.
Anëtarësimi me të drejta të plota i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane pas një aplikimi të nisur prej vitit 2011.
Zgjedhja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si anëtare e Byrosë së Shoqatave Frankofone (ACCF).
II. Nisma të rëndësishme institucionale
Gjatë këtyre tre viteve janë ndërmarrë nisma që mungonin prej vitesh dhe që sot përbëjnë praktika të konsoliduara, me ndikim afatgjatë.
Duke e parë drejtësinë si një shërbim publik, rritja e transparencës dhe e aksesit ishte ndër prioritetet kryesore, ndaj realizimi i nismave të mëposhtme merr një rëndësi të veçantë:
Udhërrëfyesit e Jurisprudencës – Udhërrëfyesit ishin instrumente të munguara dhe për herë të parë u përpunua dhe u botua e gjithë jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2024 u publikua Udhërrëfyesi për ankimin kushtetues individual, ndërsa në vitin 2025 Udhërrëfyesi për parimet, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Buletini dymujor i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, i shpërndarë gjerësisht në formë elektronike në shqip dhe anglisht, me përmbledhje të qarta dhe të qasshme për profesionistët e drejtësisë dhe jo vetëm.
“Kushtetuta ime”, doracaku i parë shpjegues për fëmijët e shkollave, me një gjuhë të thjeshtë dhe edukative.
III. Komunikimi me publikun dhe median
Për forcimin e transparencës dhe informimit të publikut, që prej vitit 2023 Gjykata Kushtetuese aplikoi praktika të reja të hapjes dhe komunikimit publik përmes këtyre instrumenteve:
Konferencat për shtyp të Kryetarit të Gjykatës në të njëjtën ditë me vendimmarrjet në çështje me interes të lartë publik, shoqëruar me njoftime për shtyp që përfshinin edhe arsyetimet kryesore të vendimeve.
Raportet vjetore të veprimtarisë gjyqësore dhe administrative të Gjykatës.
Transmetimi live i seancave plenare publike.
Publikimi i të dhënave të çështjeve pas shortimit, përveçse i vendimmarrjeve të Kolegjeve dhe të Mbledhjes së Gjyqtarëve në faqen zyrtare të Gjykatës.
Rritja e pranisë në rrjetet sociale përmes publikimit të informacionit të verifikuar dhe të kuptueshëm për publikun.
Faqja e re zyrtare e Gjykatës, e konceptuar me dizajn modern dhe strukturë më të organizuar.
Sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve, i cili është zhvilluar përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe pritet të finalizohet së shpejti, duke futur Gjykatën në epokën digjitale.
IV. Aktet e rëndësishme rregullatore
Gjatë kësaj periudhe, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka miratuar një sërë aktesh të rëndësishme të brendshme, si:
Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës së Gjykatës Kushtetuese.
Rregullorja për Komunikimin me Median.
Kodi Etik i Administratës së Gjykatës Kushtetuese.
Sa më sipër nuk do të ishte e mundur pa kontributin e kolegëve gjyqtarë, ndaj i falënderoj ata për mbështetjen e vizionit tim dhe për punën e palodhur në realizimin e objektivave të vendosura.
Po kështu, shpreh vlerësimin maksimal për mbështetjen profesionale të këshilltarëve ligjorë dhe të administratës së Gjykatës Kushtetuese, sikundër për mbështetjen e të gjithë aktorëve institucionalë dhe ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar me këtë Gjykatë përgjatë kësaj periudhe.
Në përfundim, shpreh bindjen se arritjet e nënvizuara më sipër do të vijojnë të shërbejnë si bazë e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe për forcimin e rolit të saj si institucioni më i lartë garantues i Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë.