
Një grup kriminal me qendër në Bullgari, i dyshuar për vjedhjen dhe trafikimin e mijëra artefakteve kulturore në të gjithë Evropën, është goditur rëndë nga një operacion i gjerë ndërkombëtar i koordinuar nga Eurojust dhe Europol. Autoritetet nga gjashtë vende kryen dje një aksion të sinkronizuar që çoi në arrestimin e 35 anëtarëve të grupit dhe kontrollin e mbi 125 lokacioneve, ku u rikuperuan mbi 3 000 objekte me vlerë të çmuar – një sasi që vlerësohet mbi 100 milionë euro. Në total, vlera e mallrave të vjedhura arrin rreth 870 milionë euro.
Hetimet nisën në vitin 2020, kur pas një bastisjeje në një shtëpi në Bullgari, autoritetet sekuestruan 7 000 objekte kulturore me rëndësi historike. Në koleksion përfshiheshin maska, artefakte ushtarake, bizhuteri, vazo dhe kupa nga civilizimet trake dhe greko-romake, disa prej të cilave datonin që nga 2000 p.e.s. Mungesa e dokumentacionit për shumë prej objekteve ngriti dyshime për origjinë të paligjshme, duke hapur rrugën e një hetimi të thelluar ndërkufitar.
Në mesin e të arrestuarve është edhe një Objektiv me Vlerë të Lartë (HVT), i dyshuar si organizatori kryesor i rrjetit. Ai mendohet se financonte gërmime të paligjshme në Bullgari dhe vende fqinje, duke përdorur grupe grabitësish lokalë që punonin për të. Grupi përdorte gjithashtu dokumente të dyshimta të lëshuara nga shtëpi ankandesh dhe galeri arti në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, për të legalizuar objektet e trafikuara.
Gjatë hetimeve u zbuluan lidhje me individë në disa shtete evropiane, çka çoi në bashkëpunimin e autoriteteve të shtatë vendeve dhe në planifikimin e një dite të koordinuar veprimi.
Më 19 nëntor, Eurojust koordinoi nga Haga operacionin ku në Bullgari u arrestuan 35 persona dhe u kontrolluan 120 vende. Kontrollet e tjera u zhvilluan në Francë, Gjermani, Greqi dhe Shqipëri.
Përveç mijëra artefakteve, autoritetet sekuestruan gjithashtu: monedha antike prej ari dhe argjendi, vepra arti dhe objekte të tjera arkeologjike, dokumente të dyshimta dhe pajisje elektronike, mbi 50 000 dollarë në para të gatshme dhe ar të destinuar për investime.
Hetimet ndaj rrjetit kriminal dhe artefakteve të trafikuara do të vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë duke identifikuar origjinën dhe pronësinë e objekteve të sekuestruara.
Aksioni u realizua nga një numër institucionesh të drejtësisë në Europë, përfshirë edhe SPAK.
Bullgaria: Prokuroria e Qytetit të Sofjes; Shërbimi Kombëtar i Hetimit; Drejtoria e Antikrimit të Organizuar; Agjencia e Sigurisë Kombëtare
Franca: Gjykata e Parisit JUNALCO; Zyra Qendrore kundër Trafikimit të Mallrave Kulturore
Gjermania: Prokuroria e Mynihut; Policia Kriminale Bavareze; Njësia e Hetimit të Artit
Greqia: Prokuroritë e Apelit të Athinës dhe Lamisë; njësitë kundër krimit të organizuar dhe trafikimit; departamentet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore
Italia: Prokuroria e Romës; Karabinierët e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore