TIRANË- Jamarbër Malltezi, deklaroi për gazetarët jashtë ambienteve të GJKKO, se ndaj tij është ngritur një proces i pastër politik, i mbushur me dhjetëra shkelje procedurale dhe falsifikime. Pas përfundimit të seancës së sotme gjyqësore për dosjen ‘Partizani’, Malltezi theksoi se aktakuza është mbajtur e fshehur për tre vite dhe se emrat e të hetuarve janë fshehur qëllimisht për të shmangur të drejtat e tyre ligjore.
"Janë depozituar me dhjetëra kërkesa paraprake. Janë depozituar identifikimi i dhjetëra apo qindra shkeljeve procedurale. Nuk është gjë e rastësishme. Të gjitha këto shkelje nuk kanë ndodhur pa një shkak. Ka ndodhur sepse është një proces politik. Është një proces politik siç u dëshmua, sepse janë me dhjetëra dëshmi në Kongresin Amerikan, ku flitet qartë që paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën nga Soros që të kapej drejtësia dhe ta përdorte për luftë politike dhe për të mbyllur gojën opozitës.
Kemi identifikuar me dhjetëra falsifikime gjithashtu, të dokumentit zyrtar akt-akuzë. Iu paraqitën, janë disa nga avokatët që paraqitën faktin që janë 3 vite që u mbajt e fshehtë, u fshehën emrat e personave ndaj të cilëve zhvilloheshin hetimet, pikërisht që të ndalonin kryerjen e hetimeve apo të drejtat procedurale që kanë personat në çështje.
U përmend gjithashtu fakti që delikuentja Irena Gjoka mbrohet me një kokëfortësi të çuditshme nga Edi Rama, pikërisht se është përdorur si kamikaze për të luftuar opozitën. Është interesante që Shqipëria ka hedhur në kosh të plehrave konventën për vulat apostile mesa duket, vetëm për hatrin e Irenës.
Ndonëse ishte vendimi me vulë apostile gjithsesi, e çuam që të merrnim prapë konfirmim nga Greqia, prapë i erdhi vendimi nga Greqia, që është autentik. Vendimi i dënimit të Irenës nuk ka dyshime dhe megjithatë, prapë se prapë ndonëse ligji i detyron që të veprojnë brenda 15 ditëve. KLGJ-ja nuk vepron dhe Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu fshihet pas gishtit. Nuk i mjafton vendimi i formës së prerë, vendimi autentik, me vulë dhe i konfirmuar gjithashtu nga Gjykata e Janinës, po kërkon edhe dosjen e Prokurorisë. A thua se Prokuroria e Përgjithshme do të bëjë ndonjë vlerësim të prokurorisë. Jemi në situatën ku e gjithë kjo çështje nuk ka hetim. Po ta marrësh, kanë hedhur në erë gjithë hetimin. Kanë hedhur në erë të drejtat procedurale," tha Malltezi.