TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se ekipi i LaCivita, i cili sipas tij është ekipi më serioz në botë organizoi një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se ekipi i LaCivita nuk ishte përgjegjës, për diktaturën autoritare të vendosur nga Rama.
Nga zyra e selisë blu, Kryedemokratoi tha se raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë treguan se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Në fund, Berisha falenderoi qeverinë e SHBA-së e cila nuk i uroi Edi Ramës fitore, pasi sipas tij fitorja e Ramës ishte "kllap".
"Së pari, ju dhe çdo shqiptar, mësuat dje se shifra e paguar ishte 14 herë më e vogël nga ajo që shpalli Edi Rama dhe makineria e tij e mashtrimit. Në rast se shkoni në mars të këtij viti, do gjeni shifra 22 milionë e me radhë. Dhe ju e patë, dhe shqiptarët e panë, se kjo shifër ishte jo 10, por 15 herë më e ulët. Pra, tullumbacja e skandalit të tyre u shfry dhe atyre u ngeli mashtrimi në dorë. Ekipi i LaCivita, pa diskutim ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme. Por, dhe bëri më të mirën e mundshme. Dhanë një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar. Organizuan një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. Por ekipi i tyre nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare të vendosur në Shqipëri nga Edi Rama. Meqë jam këtu dhe më bën këtë pyetje, unë shtroj disa pyetje. Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, në rast se në kundërshtim flagrant me parimet ndërkombëtare të demokracisë dhe pluralizmit, Edi Rama nuk do arrestonte në vitin elektoral dhe do ndiqte penalisht liderët e tre partive kryesore opozitare?
Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, në qoftë se Edi Rama, duke shkeluar 4350 herë ligjin e vendit, nuk do organizonte 4350 evente, siç thonë raportet ndërkombëtare, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve? Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se Edi Rama nuk do përdorte të gjitha burimet e qeverisë në fushatë elektorale, duke shkelmuar parimin më themelor të zgjedhjeve, atë të barazisë, duke krijuar një fushë krejt të pabarabartë? Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se Edi Rama nuk do shpërndante për çdo pensionist 100 euro? Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do faleshin 200 milionë gjoba dhe kamata? Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do jepeshin mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi, etj? Cili do të ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në rast se nuk do bëheshin mbi 10 mijë punësime të përkohshme për qëllime elektorale? Çdo qytetar të pyesë veten, cili do ishte rezultati në qoftë se nuk do jepeshin licenca për të mbjellë kanabis në 28 mijë hektarë në mbarë vendin kundrejt 200 hektarëve që lejon ligji?
Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve në qoftë se kartelet e drogës së Suel Çelës, Troplinit, Bajrëve, nuk do nxirrnin hanxharët e krimit dhe milionat e eurove të krimit për të rrëmbyer vota? Aq sa Michael Gaghler deklaroi në Parlamentin Europian se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin në Shqipëri. Cili do ishte rezultati i zgjedhjeve të 11 majit në qoftë se 90 përqind të medieve nuk do këndonin melodinë e qeverisë? Ja pra, janë të gjitha këto që LaCivita i konstatoi, i pa me sy. Por të gjitha këto janë të raporteve ndërkombëtare të vëzhguesve të zgjedhjeve, që konkluduan se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shtet. Pra, në Shqipëri nuk ka zgjedhje, ka farsë. Prandaj beteja vazhdon, kjo është betejë në vazhdim. Ka pasur një betim solemn tonin, do mbrojmë votën dhe ne kemi mbrojtur votën në mënyrën tonë. Ne nuk jemi guerile, nuk e mbrojmë me armë, ne jemi parti demokratike, metodat tona janë paqësore. Por avoketërit e kyçën gojën, nuk flasin dot më as për standarde, as për kështu, as ashtu. Kjo është e gjitha. Ndaj dhe me këtë rast, shpreh falënderimin tim qeverisë së SHBA që nuk e uroi Edi Ramën, pasi fitorja e tij është kallp. Zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme. U përket qytetarëve tani të flasin. Absolutisht kam besim më të pakufishëm se shqiptarët do flasin," tha Berisha.