
TIRANË- Ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dhënë dëshminë e tij në seancën gjyqësore të dosjes "Sterilizimi", ku është shprehur se kjo nuk është çëështja e Sterilizimit. Sipas tij, "Sterilizimi" është një nga 6 komponentët e kontratës.
Beqaj është shprehur më tëj se kësaj dosje nuk duhen t'i referohen si e "Ilir Beqajt dhe të tjerët", ndërsa ka theksuar se synon pafajësinë dhe se kjo është anormale. Ish-ministri ka thënë po ashtu se vendimi i datës 23 janar 2025 përmban të dhëna dhe informacione të rreme, dhe se procedimi penal ndaj tij nuk duhej të kishte nisur.
"Sa i takon komunikimit publik, kjo nuk është çështja e Sterilizimit, as kontratë e Sterilizimit dhe as koncesion i Sterilizimit. Kjo nuk përmendet as në titullin e kontratës. Sterilizimi është vetëm një nga 6 komponentët e kontratës. Kjo është çështje e instrumenteve kirurgjikale. E dyta, i referohen dosjes “Ilir Beqaj dhe të tjerët”. Unë jam i fundit në kërkesën e gjykatës. Pse duhet të thuhet “Ilir Beqaj dhe të tjerët”. Këta të tjerët i bie sikur janë këtu prej meje. Unë synoj pafajësinë dhe kjo është nominale.
Së treti, e kam për avokatin Maks Haxhia, si drejtues të Dhomës së Avokatisë. Avokati kryesisht i caktuar nga gjykata për dy javë tha se është i gatshëm për mbrojtjen, pa e lexuar dhe pa më takuar mua ndonjëherë. Unë i kam parë edhe komentet e Maks Haxhiajt për SPAK-un. Do të doja të informohem nga gjykata, kur ka ardhur avokati kryesisht të njihet me dosjen time?
Vendimi i datës 23.1.25 përmban të dhëna dhe informacione të rreme. Procedimi ndaj meje nuk duhet të kishte nisur, pasi i njëjti fakt penal është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo prokurori e ka pushuar çështjen. Në vendimin e gjyqtares paraprake përmendet 15 herë neni i kodit penal, që flet për armëmbajtjen pa leje. Se ç’lidhje kam unë me këtë, nuk e di," është shprehur Beqaj.
Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Bujqësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.