
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Kjo e fundit është paraqitur ditën e sotme në SPAK, ku dhe iu komunikuan akuzat. Ndërkohë Veliajt iu komunikuan akuzat nga agjentët e BKH-së të cilët shkuan në paraburgimin e Durrësit. Bëhet me dije se hetimet për kryebashkiakun e Tiranës do të përfundojnë më 29 shtator.
Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika në lidhje me dosjen "Veliaj". Lika akuzohet për veprën e “Fshehjes së të ardhurave”. Lika është një emër i ri në këtë dosje pasi më parë nuk është përmendur. Biznesmeni Gentian Sula është paraqitur gjithashtu paraditen e sotme në ambientet e SPAK. Paraqitja e tij ka të bëjë me komunikimin e akuzave që rëndojnë ndaj tij në lidhje me dosjen "Veliaj". Të pandehur janë marrë edhe biznesmenët Elman Abule, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha dhe Sokol Kryeziu u njohën me akuzat e SPAK.
E pandehur në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut është marrë edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka e cila akuzohet për veprën penale të pengimit të zbardhjes së të vërtetës. Sipas SPAK, Bushka ka kërcënuar Ina Goxhajn që të mos dëshmonte në SPAK kundër Veliajt dhe Xoxës. I pandehur është marrë edhe polici i burgjeve, Fation Baci i cili dyshohet nga SPAK se i ka dhënë një telefon Veliajt gjatë procesit të shoqërimit. Nën akuzë janë vënë familjarët dhe vartës të Ajola Xoxës.
Në total në kuadër të kësaj dosje hetimore me rreth 60 mijë faqe, SPAK ka marrë të pandehur 30 persona, shoqëri fizike dhe organizata jofitimprurëse.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje".
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.