
TIRANA- Biznesmeni Laert Kasaj i cili u dhunua brutalisht dy ditë më parë pranë kompleksit "Delijorgji" ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku thoetë se është bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë shkuar poshtë zyrës së tij të pajisur me mjete të forta.
Kasaj thotë se pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke e akuzuar atë se e ka nxitur vetë. Ai shton se shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë.
"Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër. Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve", shkruan Kasaj.
Sipërmarrësi thotë se ky është një pretendim absurd, pasi nuk ka asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk ka nevojë të merret me punët e të tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e tij. Gjithashtu ai shton se në këtë klimë të rënduar, e shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjellin klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit.
Ai thekson se kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Kasaj thotë se ka vendosur të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe të drejtën për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje.
"Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre. Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë", shprehet ai.
Në këto ditë të vështira për mua dhe familjen time, ndjej nevojën të ndaj disa fjalë me publikun. Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke më akuzuar se e kam nxitur vetë.
Shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë. Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër. Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve. Ky është një pretendim absurd, pasi unë nuk kam asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk kam nevojë të merrem me punët e të tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e mi.
Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre. Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë. Në këtë klimë të rënduar, më shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjell klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit. Kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Në përfundim, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, të vërtetën dhe të drejtën time për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje.