
ELBASAN- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka bërë një vizitë në fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, e cila do të shërbejë si një platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët, të cilët do të mund të përdorin metoda inovative për kultivimin e produkteve bujqësore. Gjatë fjalës së tij, Salla u shpreh se dixhitalizimi do të revolucionarizojë bujqësinë shqiptare.
Salla theksoi se tekonologjia u jep mundësi fermerëve të kenë në kohë reale të gjithë informacionin e duhur nëpërmjet telefonit dhe aplikacionit që do të vihet në dispozicion. Ai tha se bashkia ka dhënë vetë në dispozicion të fermerëve dhoma frigoriferike, zyra të caktuara dhe ambient të rrethuar me të gjitha facilitetet e duhura për një SHBB.
"Është kënaqësi të jem sot në Cërrik, jo vetëm si Ministër i Bujqësisë, por edhe si një person që ka shërbyer prej vitesh në këtë komunitet, ku roli i bujqësisë është i rëndësishëm në ekonominë vendase, ku qeveria, por edhe me partnerët tanë, kemi investuar dhe vazhdojmë të investojmë në sektorin bujqësor. Dua të falenderoj sot ambasadoren për mundësinë që i jep shkollës profesionale “Mihal Shahini” me këtë projekt domethënës, ku i shërben jo vetëm studentëve dhe pedagogëve, por edhe komunitetit dhe fermerët, të cilët janë në këtë zonë bujqësore. Me qeverinë qytetare, patjetër që ne jemi duke investuar në zonën e Cërrikut nëpërmjet bashkive, nëpërmjet të gjithë Shqipërisë, në ujitje-kullim, por edhe investime të tjera në teknologjinë moderne dhe inovacion.
Për pak ditë ne dalim me një paketë në dixhitalizim. Dixhitalizimi jo vetëm si koncept dixhitalizim në tërësi për investime, por edhe duke asistuar ndaj fermerëve. Po u japim mundësi fermerëve të kenë në kohë reale të gjithë informacionin e duhur nëpërmjet telefonit dhe aplikacionit që do të vëmë në dispozicion, por edhe mundësive të tjera nëpërmjet sensorëve në kohë reale, për të pasur ne mundësinë kur duhet të vadisim, kur duhet të plehërojmë dhe kur duhet t’i shërbejmë të gjithë mbjellave të cilat ne kemi. Kjo është teknologjia që shumë shpejt ne do ta vendosim për fermerët, për të investuar jo vetëm në paketën që kemi vendosur nga qeveria shqiptare prej 52 milion eurosh për garancinë dhe masat e reja që kemi ndaj AZHBR-së, por edhe me mundësinë që japim me 10%-in.
Ajo çfarë ne bëjmë është të shërbejmë çdo ditë fermerëve, duke qenë pranë tyre në terren dhe duke marrë çdo informacion për ta përkthyer atë në buxhete dhe ide, dhe atë çfarë ne po bëjmë më së miri në mbështetje të fermerëve dhe mbështetje të bujqësisë shqiptare. Pak metra më nga këtu ku jemi, kemi investuar me donatorët një nga projektet inovatore në Shqipëri, që është grumbullimi i mbetjeve bujqësore duke i kthyer ato në plehra për të ulur kostot e bashkive, por edhe për të pasur një bashki më të pastër. Duke investuar në sektorin bujqësor, ne ndihmojmë jo vetëm këtë zonë, ndihmojmë edhe të gjitha zonat përreth. Bashkia tashmë ka nxjerrë një nga portalet më inovatorë në Republikën e Shqipërisë, i ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Patjetër që me bashkinë kemi suport edhe nëpërmjet SHBB-ve që ne po bëjmë në të gjithë territorin, ku deri tani kemi 20 SHBB. Dua të theksoj modelin shumë të mirë të Cërrikut, ku bashkia ka investuar në pikën e parë të grumbullimit të produkteve bujqësore, në perime dhe fruta.
Bashkia ka dhënë vetë në dispozicion të fermerëve dhoma frigoriferike, zyra të caktuara dhe ambient të rrethuar me të gjitha facilitetet e duhura për një SHBB. Ky është një model që ne duhet ta ndjekim nëpërmjet bashkive që jemi duke e bërë, por një shembull i tillë do të vazhdojë të ndiqet në të gjithë bashkitë e Shqipërisë me 61 bashki. Dua që nëpërmjet ambasadës së Izraelit, sot ne të mos kemi vetëm këtë projekt, por edhe projekte të tjera. Për pak ditë, bashkë me ministrin e bujqësisë së Izraelit, kemi marrëveshje mirëkuptimi për investimet në sektorin bujqësor dhe për ta çuar në një tjetër hap bujqësinë shqiptare, si modeli shumë i mirë Izraelit edhe në Shqipëri. Shumë faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë," tha Salla.