
TIRANA- Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama mbi kërkesën e unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro. Kushtetuesja thotë se siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjithashtu Gjykata Kushtetuese shton se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi. Kushtetuesja thekson se çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.
Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar dje kërkesën e bërë nga Unioni i Gjyqtarëve për rritje të pagës në Gjykatë. Me anë të një postimi në X, Rama ka theksuar se kjo është një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve, pasi është hera e dytë brenda tre viteve që kërkojnë rritje page.
Rama nënvizon se si pasojë e rritjes së pagës së administratës, Unioni kërkon që tu rritet paga edhe gjyqtarëve me 700 euro. Kërkesa e bërë në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka pranuar ta gjykojë, sipas Ramës është një ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit.
Rama në postimin e tij deklaroi se kjo kërkesë për rritje pagash, e përsëritur dy herë brenda tre viteve, cenon seriozisht Kushtetutën dhe seriozitetin e Republikës. Ndërkohë që në fund thekson se kjo kërkesë do të përballet me kundërshtimin e qeverisë, duke e quajtur këtë një abuzim të pastër.
"Interesante! Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh! Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro", ka shkruar Rama ndër të tjera.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre. Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan. Edhe pse pa përmendur emra kryedemokrati, iu referua akuzave të bëra gjatë kohës që President ishte Bamir Topi dhe nënkryetar i KLD-së, Kreshnik Spahiu, për të cilët tha se merrnin 150 mijë deri në 300 mijë euro. Gjithashtu sipas tij këtë praktikë nuk e ndoqi Rexhep Meidani.
"Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me ata në disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin. Në qoftë se gjeni një qytetar që u thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit", tha Berisha.