TIRANA- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur publikimin e një raporti të zgjeruar të hartuar nga kjo forcë politike, i titulluar “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”, i cili, sipas tij, dokumenton në mënyrë të detajuar problematikat e procesit zgjedhor në vend.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se materiali përbëhet nga një volum i gjerë prej më shumë se 1500 faqesh dhe shoqërohet me mbi 2000 elementë provues, ku përfshihen akte zyrtare, pamje filmike, fotografi dhe procesverbale.
Sipas tij, qëllimi i këtij publikimi, sipas tij, është të evidentojë shkeljet e pretenduara, deformimin e vullnetit të votuesve dhe ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhje.
Berisha bëri të ditur se dokumentacioni është përgatitur nga strukturat e Partisë Demokratike dhe i është përcjellë njëkohësisht edhe institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet.
BERISHA: Sot, ne jemi këtu para jush, për të paraqitur para shqiptarëve publikimin e PD-së, të cilin kësaj here kemi preferuar ta quajmë ‘Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri’. Ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Europë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha.
Një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë. Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.
Një punë të jashtëzakonshme në mënyrë të veçantë nga zonja Albana Vokshi, e cila në fakt del sot me këtë libër 1500 faqesh, e kaluar në çdo paragraf, në çdo rresht, në çdo dokument në duart e saj. Kjo përpjekje përmbushi detyrimin dhe objektivin. Edi Rama në mënyrë të pacipë kërcënoi vëzhguesit, na faktoni pak ku janë ato që keni shkruar.
Vëzhguesit e përgjegjshëm dhe të guximshëm nuk u tërhoqën. Por ne u përpoqëm të japim modestisht kontributin tonë duke u dërguar atyre mijëra dokumente autentike, video, fotografi, procesverbale, në mënyrë që raporti i tyre të ishte raporti që damkosi në zgjedhjet përfundimtare. Natyrisht ata kishin edhe të vetat, pa diskutim, të shumta, shumë të rëndësishme, por edhe ky raport, këto 1500 faqe që janë dërguar sapo shqyrtoheshin, kanë pasur vlerën e vet. Raportin e keni online. Cilido nga mediat e ka online.