
TIRANA- "BBC" i ka kushtuar gjithashtu një artikull vendimit të Gjykatë Evropiane të Drejtësisë e cila vuri në pikëpyetje legjitimitetin e listës së "vendeve të sigurta" që Italia përdor për të dërguar emigrantë në Shqipëri dhe për të përshpejtuar kërkesat e tyre për azil. Në artikullin e "BBC" shkruhet se Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vendosi se mënyra se si qeveria italiane aktualisht përcakton nëse një vend është “i sigurt” për të kthyer dikë, kërkesa e të cilit është refuzuar dhe bie ndesh me ligjin e BE-së.
Gjithashtu në artikull shtohet se vendimi shkaktoi një reagim me zemërim nga qeveria në Romë, e cila tha se gjykata evropiane po e tejkalonte rolin e saj, duke shtuar se vendimi do të dobësonte aftësinë e vendeve për të “mbrojtur kufijtë kombëtarë”. "BBC" shkruan se gjykata evropiane u shpreh se qeveria duhet të bëjë publike çdo provë dhe burim që përdor për të arritur në përfundimet e saj mbi “vendet e sigurta”, në mënyrë që azilkërkuesit të mund ta kundërshtojnë vendimin në rastet e tyre.
Media britanike shton se nuk është e qartë se çfarë ndikimi mund të ketë vendimi në paktin e ri të emigracionit të BE-së, i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe prezanton një listë të përbashkët të vendeve të sigurta për kthime, përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, por vendimi e bën të qartë se përkufizimi i vendeve të sigurta nuk varet në fund të fundit nga politikanët.
Artikulli i plotë i "BBC":
Një vendim i gjykatës së lartë të BE-së i ka dhënë një goditje të mëtejshme përpjekjeve të Italisë për të krijuar në Shqipëri një sistem të përshpejtuar jashtë vendit për përpunimin e kërkesave për azil. Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vendosi se mënyra se si qeveria italiane aktualisht përcakton nëse një vend është “i sigurt” për të kthyer dikë, kërkesa e të cilit është refuzuar, bie ndesh me ligjin e BE-së.
Ky koncept i “vendit të sigurt” është qendror në marrëveshjen që Kryeministrja Giorgia Meloni arriti me Shqipërinë në vitin 2023 për të dërguar atje migrantët e kapur në det për përpunim të përshpejtuar. Kushdo nga një “vend i sigurt” të cilit i është refuzuar azili duhej të deportohej brenda një jave. Por GJED ka vendosur që një komb mund të përfshihet në listën e qeverisë vetëm nëse e gjithë popullsia atje është “e sigurt”, që do të thotë se Italia do të duhet të rishikojë procedurën e saj. Aktualisht ajo identifikon Egjiptin dhe Bangladeshin, për shembull, si “të sigurt”, ndërsa pranon se grupe të caktuara në këto vende kërkojnë mbrojtje.
Vendimi shkaktoi një reagim me zemërim nga qeveria në Romë, e cila tha se gjykata evropiane po e tejkalonte rolin e saj, duke shtuar se vendimi do të dobësonte aftësinë e vendeve për të “mbrojtur kufijtë kombëtarë”. Gjykata evropiane u shpreh se qeveria duhet të bëjë publike çdo provë dhe burim që përdor për të arritur në përfundimet e saj mbi “vendet e sigurta”, në mënyrë që azilkërkuesit të mund ta kundërshtojnë vendimin në rastet e tyre.
“Sot, gjykata e bëri të qartë se një vend nuk mund të përcaktohet si i sigurt nëse nuk ofron mbrojtje efektive dhe të përgjithësuar, për të gjithë dhe kudo, dhe nëse ky pretendim nuk mund të verifikohet dhe kundërshtohet në mënyrë të pavarur”, shpjegoi Katia Scannavini e “ActionAid Italy”. “I ashtuquajturi model i Shqipërisë shembet në thelbin e tij ligjor”, argumentoi ajo.
Fati i projektit të Italisë për Shqipërinë po ndiqet nga afër nga qeveri të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të cilat janë të prirura të trajtojnë kërkesat për azil jashtë vendit, teksa përpiqen të zvogëlojnë numrin e migrantëve të parregullt që mbërrijnë në vendet e tyre.
E menduar si pjesa qendrore e qasjes së ashpër të Melonit ndaj imigracionit, marrëveshja e Shqipërisë ka hasur pengesa ligjore që nga fillimi. Një numër i vogël emigrantësh që u dërguan atje u kthyen të gjithë përfundimisht në Itali pas ndërhyrjes së gjykatave. Shumë herë përtej buxhetit, qendrat që u ndërtuan nuk janë përdorur kurrë siç është menduar. Në vendimin e saj, Gjykata Evropiane nuk kundërshtoi në parim një procedurë të përshpejtuar për emigrantët nga vendet e sigurta, por e bëri të qartë se zbatimi i kësaj politike duhet të ndryshojë.
“Është themelore: koncepti i ‘vendit të sigurt të origjinës’ nuk mund të përdoret më për të kryer transferime në Shqipëri derisa ligji italian të ndryshohet për të qenë në përputhje me legjislacionin e BE-së,” tha për BBC-në, studiuesja e migracionit e Amnesty International, Adriana Tidona.
Amnesty, si të tjerët, e konsideron marrëveshjen me Shqipërinë një shkelje më themelore të të drejtave të njeriut. “Kjo nuk ka të bëjë me vendet e sigurta të origjinës, por me faktin se bazohet në një sistem automatik ndalimi,” tha Adriana Tidona. “Kjo është e paligjshme.”
Nuk është e qartë se çfarë ndikimi mund të ketë vendimi i sotëm në paktin e ri të migracionit të BE-së, i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe prezanton një listë të përbashkët të vendeve të sigurta për kthime – përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin. Por vendimi e bën të qartë se përkufizimi i vendeve të sigurta nuk varet në fund të fundit nga politikanët.
“GJED thotë se është gjykata që ka fuqinë të bëjë vlerësime në lidhje me vendet e sigurta”, shpjegon Daniele Gallo, profesor i së drejtës së BE-së në Universitetin Luiss të Romës.
“Çfarëdo që të thotë qeveria, çdo gjyqtar në Itali tani ka detyrën të lërë mënjanë legjislacionin italian dhe të zbatojë ligjin e BE-së.”