
SHBA- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy përmes një postimi në "X" ka bërë me dije se ka mbërritur në Uashington ndërsa sot pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Zelenskyy në postimin e tij shkruan se të gjithë palët kanë dëshirë për të përfunduar luftën sa më parë por theksoi se paqja duhet të jetë e qëndrueshme.
Ai shton se nuk duket të ndodhë si disa vite më parë ku Ukraina u detyrua të heqë dorë nga Krimea dhe një pjesë të lindjes së saj. Presidenti ukrainas shkruan se ukrainasit po luftojnë për pavarësinë e tyre në tokën e tyre. Zelenskyy shtoi se është Rusia ajo që duhet ti japë fund luftës teksa thekson se ajo vetë e nisi këtë konkflikt.
"Kam mbërritur tashmë në Uashington, nesër do të takohem me Presidentin Trump. Nesër do të flasim edhe me udhëheqësit evropianë. Jam mirënjohës ndaj @POTUS për ftesën. Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri. Dhe paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jo siç ishte vite më parë, kur Ukraina u detyrua të hiqte dorë nga Krimea dhe një pjesë e Lindjes sonë - një pjesë e Donbasit - dhe Putini thjesht e përdori atë si një trampolinë për një sulm të ri. Apo kur Ukrainës iu dhanë të ashtuquajturat "garanci sigurie" në vitin 1994, por ato nuk funksionuan.
Sigurisht, Krimea nuk duhej të ishte dorëzuar atëherë, ashtu siç ukrainasit nuk hoqën dorë nga Kievi, Odesa apo Kharkivi pas vitit 2022. Ukrainasit po luftojnë për tokën e tyre, për pavarësinë e tyre. Tani, ushtarët tanë kanë suksese në rajonet e Donetskut dhe Sumit. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të garantojmë në mënyrë efektive sigurinë dhe se populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Presidentit Trump, të gjithëve në Amerikë dhe çdo partneri dhe aleati për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet t'i japë fund kësaj lufte, të cilën e filloi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën, me miqtë tanë evropianë, do ta detyrojë Rusinë të arrijë një paqe të vërtetë. Faleminderit!" shkruan Zelenskyy.
Takimi i sotëm është i një rëndësie të madhe dhe do të përcaktojë të ardhmen e diskutimeve në lidhje me luftën në Ukrainë. Zelenskyy nuk do të jetë i vetëm përballë Trump, i cili herën e fundit nuk e priti mirë në Shtëpinë e Bardhë duke e kritikuar nga veshja e tij e deri të kërkesat për ndihma ushtarake. Kësaj here Zelenskyy do të ketë "mburojë" udhëheqës të lartë evropianë, në një përpjekje vendimtare për të parandaluar imponimin e një zgjidhjeje që do të kërkonte lëshime territoriale nga Kievi.