Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka bërë publike transkriptet dhe regjistrimet audio të një interviste dyditore të zhvilluar në korrik me Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtoren e Jeffrey Epstein dhe aktualisht e dënuar me 20 vite burg për trafik seksual.
Kjo është hera e parë që Maxwell flet kaq hapur për marrëdhënien e saj me Epstein, pasurinë e tij, lidhjet me figura të njohura botërore dhe akuzat që e kanë ndjekur ndër vite. Intervista u realizua nga zëvendës prokurori Todd Blanche, me një ton të qetë e bashkëpunues.
Maxwell tha se e njohu Epstein në fillim të viteve ‘90, pas vdekjes së babait të saj, Robert Maxwell. Ajo e përshkroi si inteligjent dhe karizmatik, ndërsa marrëdhënia e tyre romantike ishte e ndërprerë dhe pa intimitet të vazhdueshëm. Sipas saj, Epstein pretendonte se kishte probleme në zemër dhe nuk kishte jetë seksuale të rregullt. Lidhja e tyre, sipas Maxwell, u mbyll përfundimisht rreth vitit 2001.
Një nga temat më të diskutuara ishte rasti i Virginia Giuffre, e cila ka pohuar se ka pasur marrëdhënie me Princin Andrew në shtëpinë e Maxwell në Londër. Maxwell i hodhi poshtë këto pretendime, duke ironizuar se banjoja ku pretendohej të kishte ndodhur ngjarja ishte shumë e vogël dhe me pasqyra që krijonin reflektime të shumta.
Maxwell tha se e kishte njohur Donald Trump përmes babait të saj dhe e përshkroi si gjithmonë të sjellshëm në prani të saj, duke mohuar se ai ishte i përfshirë ndonjëherë në situata komprometuese me Epstein.
Për ish-presidentin Bill Clinton, ajo u shpreh se ishte mik i saj personal dhe jo i Epstein. Sipas saj, Clinton nuk ka qenë asnjëherë në ishullin privat të Epstein, ndryshe nga sa është raportuar shpesh në media.
Maxwell tha se Epstein kishte ngritur pasurinë e tij përmes instrumenteve financiare dhe më pas ndihmonte miliarderë për të rikuperuar para. Ajo përmendi emra të njohur si Les Wexner, Leon Black, Glenn Dubin dhe Lynn Forester de Rothschild, por mohoi çdo përfshirje të tyre në aktivitete të paligjshme.
Një nga spekulimet më të përfolura ka qenë se Epstein përdorte kamera të fshehta për të shantazhuar miqtë e tij. Maxwell i kundërshtoi këto pretendime, duke thënë se ajo ishte përgjegjëse për arredimin dhe instalimet elektrike në rezidencat e tij dhe nuk kishte parë kurrë sisteme të tilla.
Ajo sugjeroi se sjellja e Epstein dhe interesi i tij për vajza të mitura mund të ishte ndikuar nga përdorimi i suplementeve me testosteron në fund të viteve ’90. Maxwell tha se nuk kishte njohuri mbi moshën e vajzave që punonin si masazhiste dhe nuk kishte kontrolluar dokumentacionin e tyre.
Sipas Maxwell, Epstein kishte hyrë në qarqet e larta britanike përmes Rosa Monckton, një mikeshë e ngushtë e Princeshës Diana. Ajo spekuloi se kishte mundur të ketë pasur përpjekje për ta paraqitur Epstein-in si një “partner të mundshëm” për Dianën, por pa dhënë detaje konkrete.