
Një tryezë diskutimi ka bashkuar drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) me përfaqësues të komisionit parlamentar të mediave dhe AMA-s, ekspertë të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe organizatave vendase e të huaja.
Qëllimi kryesor ishte diskutimi i sfidave aktuale me të cilat përballet televizioni publik dhe ndërtimi i një vizioni të qartë për të ardhmen. Afro tri muaj nga marrja e detyrës si Drejtoreshë e TV Publik shqiptar, Eni Vasili u ndal tek gjendja aktuale ku ndodhet sot RTSH duke theksuar nevojën e një ndryshimi që do të mbështetet tek projekti i ri që në qendër ka vendosjen e identitetit të RTSH. Një ndër pikat e vizionit për reformimin, sipas Vasilit është rritja e pagave për punonjësit e televizionit publik.
“Stafi i RTSH-së duhet të trajtohet me më shumë dinjitet, kushte pune të përmirësuara dhe trajtim më të mirë financiar. Ndërkohë RTSH duhet të rikthehet në rolin e saj historik si një shkollë mediatike që formon dhe përgatit brezat e rinj”- u shpreh Vasili.
Ndërsa për aspektin e infrastrukturës teknike, dhe programacionin drejtoresha e RTSH u shreh se ka një plan për modernizimin teknologjik i cili duhet të kthehet nga disanvantazh në avantazh, duke arritur direkt tek fjala e fundit e teknologjisë. Ristrukturim të programacionit me vizion të qartë dhe ndarje tematike të kanaleve.
“Çdo kanal i RTSH-së duhet të ketë profil tematik të mirëpërcaktuar, për të garantuar qartësi për publikun dhe për të rritur ndikimin në segmentet përkatëse të audiencës. Në përputhje me praktikat më të mira europiane për mediat publike, nevojitet që strukturimi për RTSH të ndjekë modelin 2 plus 7; dy kanale bazë të përgjithshme pra RTSH 1 dhe RTSH 2 dhe 7 kanale tematike me funksione të qarta, ku çdo kanal të ketë identitet dhe strukturë programore të dedikuar. Një programacion i bazuar në formate që kanë në focus informacionin e përditshëm dhe temat aktuale nga e hëna në të premte do të reflektojë më mirë standardet e kërkuara. RTSH duhet të orientohet drejt formateve që forcojnë ndërveprimin me publikun dhe të përfshijnë në programacion zëra nga të gjitha shtresat sociale, komunitetet etnike dhe fetare, në funksion të një media publike për të gjithë, duke mos lënë mënjanë argëtimin dhe zbavitjen nëpërmjet patentave të suksesshme ndërkombëtare’’-tha Vasili.
Nevojën për një reformë të qëndrueshme e nënvizoi edhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Fatjon Hoxholli. Sipas tij, RTSH-ja ka nevojë urgjente për një formulë të re financimi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, i cili më parë ka drejtuar RTSH-në.
Kryetarja dhe nënkryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa dhe Evis Kushi, shprehën njëzëri dakordësinë në mbështetje të projektit të frymës së re në RTSH. Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) dhe shoqëria civile u shprehën të hapur për bashkëpunim me RTSH dhe besimplotë për reformimin që do të rrisë besueshmërinë e publikut tek media publike. Në tryezë ishin të pranishëm edhe ekspertë dhe figura të njohura gazetarisë televizive, të cilët e kanë nisur karrierën në RTSH dhe mbeten sot thellësisht të ndjeshëm ndaj problematikave të këtij institucioni. Kjo konferencë gjithëpërfshirëse që u shënjua me nota dhe mesazhe konstruktive është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë dhe pozitiv për të adresuar sfidat e RTSH-së dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për median publike shqiptare.
Top Channel